Politika është luftë pa gjakderdhje, kurse çdo luftë është politikë e përgjakshme. (Pjer Mesmer, kryeministër i Francës)
Subjekti politik në Kosovë , i cili në masë të madhe gjithnjë, ka arritur t’ia “prishë rehatinë” dhe bilancin e “sukseseve” PDK-së, gjatë qeverisjes ‘Thaçi 1’ dhe ‘Thaçi 2’, padyshim është Lëvizja “Vetëvendosje”, edhe sa ishte jashtë institucioneve, por edhe tani kur është pjesë e opozitës parlamentare.
Se nuk ka hajgare, me ketë Lëvizje, siç “po ia kënda asaj…” të quhet gjithnjë, me këtë emërtim shumë simbolik, “Vetëvendosja” u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit, përkatësisht në garën e dhjetorit të vitit 2010, për zgjedhjet parlamentare.
Edhe pse gjatë fushatës parazgjedhore, nuk mungoi edhe angazhimi për të minimizuar dhe defaktorizuar këtë subjekt, me angazhimin e drejtpërdrejt edhe të ambasadorit amerikan në Kosovë, z.Kristofer Dell, si personi më i fuqishëm dhe me më ndikim në Kosovë. Por megjithatë, siç dihet pas përfundimit maratonik të këtyre zgjedhjeve, pozicionimi si subjekti i tretë më i votuar, përkatësisht, i dytë opozitar, dëshmoi se ky rezultat dhe këta numra, nuk janë rastësi dhe pa peshë në vendimmarrje, si në Parlament, ashtu edhe sa i përket zhvillimeve të tërësishme në skenën politike kosovare.
Në veçanti, ngjarjet e fundit, gjegjësisht7 dhjetori i vitit të kaluar, kur në Parlament “Vetëvendosja” arriti ta “nokautoj” PDK-në, apo ta “zë në gjumë”, me mocionin për reciprocitet me Serbinë. Ishte një goditje e rëndë që mori PDK-ja dhe Qeveria ‘Thaçi 2’, pasoja të cilat po i bartë edhe gjatë këtyre ditëve për (mos)zbatim të këtij mocioni, dhe atë, jo vetëm ky subjekt politik, por në një masë, e gjithë Kosova dhe më gjerë.
Jemi dëshmitarë të ngjarjeve, kur si kundërsulm, më 20 janar , Qeveria Thaçi, përkatësisht PDK-ja “brenda natës” futi një kundërmocion në këtë Seancë Parlamentare, e cila edhe falë numrave dhe prezencës së Thaçit, kaloi ”ngushtë”, por efekti, apo zbatimi i kësaj kundërezolute, u kontestua pa ndonjë bujë të madhe nga “Vetëvendosja”, dhe protestat, siç u pa dhe u dëshmua, vazhduan edhe më 22 janar, siç ishin paralajmëruar më herët.
Zaten votimi i kundërezolutës në seancën e 20 janarit, në një anë tregon joseriozitetin e Qeverisë, e cila në kohën kur pat kaluar mocioni i “Vetëvendosjes” pat deklaruar, se ajo vetëm po e zbaton reciprocitetin dhe kjo rezolutë nuk e obligon, dhe nuk ka qenë e nevojshme, andaj kundërezoluta nga shumë kush u vlerësua si “loje me numra”, ”blerje kohe”, ”shpëlarje truri” , e shumë-vonshme, apo i ngjanë asaj thënies popullore: “Pasi u .. plaka ia vuri shulin derës”.
Sa i përket mbështetjes dhe elektoratit, por edhe qëndrimeve dhe reagimeve të subjekteve tjera politike, përsëri “Vetëvendosja” si subjekt politik është në rrugë të mirë të shtimit të numrit të simpatizantëve, dhe atyre që e mbështesin, dhe kjo u vërejt edhe në protestën e 22 janarit, përkundër kohës së ftohte, dhe atë në radhë të parë, si kundërpërgjigje të veprimeve dhe sjelljeve jo mirë të koordinuara të Qeverisë, e në veçanti të Policisë së Kosovës, më 14 janar. Por shumë gjëra lidhen edhe me gjendjen e rëndë sociale në Kosovë, e cila kuptohet, në këso momente (keq)përdoret nga ata që udhëheqin protestat, e që dihet, dështimet i adresohen Qeverisë.
Është edhe një bonus i madh për “Vetëvendosjen”, prezenca e ambasadorit Walker në protestën e 22 janarit, sinjal dhe mesazh shumë i keq për Qeverinë Thaçi, dhe partnerët tjerë, kurse mobilizim dhe kurajo e mbështetje për Albinin e “Vetëvendosjen “ në përgjithësi.
Sa i përket dy subjekteve tjera politike, që mbështetën mocionin e 7 dhjetorit të “Vetëvendosjes”, e që pa mbështetjen e tyre nuk do të kalonte, por siç dihet më vonë ato u tërhoqën me arsyetim të vetëm – në emër të “institucionalizmit…”, në opinionin e gjerë, është krijuar një bindje se ato e “tradhtuan” “Vetëvendosjen”, dhe vetvetiu nuk ka një opinion pozitiv shtesë, por me siguri rënie, dhe atë si për LDK-në, ashtu edhe AAAK-në. Kështu, sikur të mbaheshin zgjedhjet e reja, me siguri, “Vetëvendosja”, do të ishte fuqi, dhe shumë lehtë do të radhitej në pozitë shumë më të favorshme se që mban tani.
Pra ,”Vetëvendosja”, në raport me gjitha subjektet tjera politike në Kosovë, momentalisht, edhe me ngjarjet e fundit, edhe pse nuk u tumirën nga pjesa dërmuese e institucioneve dhe subjekteve politike, por edhe nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, mendoj se ka shtuar numër dhe përkrahës, me çka është faktorizuar edhe më shumë. Pos PDK-së, e cila siç po shihet e dihet, pos që po e mund me numra, edhe po e rreh, subjektet tjera politike, janë të mundura dhe jo partnere të barabarta në garën eventuale për zgjedhje të reja në raport me “Vetëvendosjen”.
Sikur “Vetëvendosja”, në këto momente të shfrytëzonte dhe kanalizonte, në radhë të parë miqësinë dhe raportet që ka krijuar me Ambasadorin Walker, me qëllim të “shkrirjes” të një barikadimi, që duket karshi faktorit ndërkombëtarë, e në veçanti të krijonte ekip lobimi dhe bashkëpunimi me SHBA-të, BE, qendrat tjera vendimmarrëse të botës, pastaj regrutimi dhe angazhimi i njerëzve me një karrierë më të gjatë politike, por të dëshmuar, personalitete që komunikojnë shlirë e pa barriera me gjithëkendë , edhe me ata që kundërshtojnë këtë subjekt dhe nuk pajtohen, pastaj tejkalimi i pengesave dhe krijimi e relaksimi i raporteve me mediat, të cilat për momentin pothuaj të gjitha janë në diktat të Thaçit, janë vetëm disa kritere që në masë të madhe do të ndikonin që “Vetëvendosja” jo vetëm që do të “dridhte” subjektet tjera politike por (ndoshta) do të ishte faktorë stabiliteti dhe prosperiteti në Kosovë, edhe pse ka edhe mjaftë të tillë që thonë, se sikur Albini, të vinte në pushtet, do të ishte më i “zi” se Thaçi, kurse “Vetëvendosja”, hiç më e mirë se PDK-ja.
Me ngjarjet e fundit, të cilave nuk po u dihet fundi, “Vetëvendosja” i çoi një selam shumë të qartë Qeverisë Thaçi, se edhe në Kosovë ka forca, që bile, nuk të lënë “rahat të flesh dath si deri më tash”. Por prapëseprapë, hëpërhë Kryeministri me kabinetin e tij, Partinë, Institucionet…, por edhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtarë, është ai që “kollitet”. Të shohim, pasi po shkojmë kah pranvera!