Telegrafi

A janë të zhvilluara bizneset prodhuese dhe bizneset në përgjithësi në Kosovë?

Deputeti i koalicionit qeverisës nga radhët e PDK-së dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi, në mbyllje të vitit 2015, i është qasur një shkrimi-analize ku me shembuj konkret bënë thirrje tek kolegët e pozitës dhe opozitës, për ndryshim të qasjes legjislative për bizneset vendore dhe vendosmëri të tyre për implementim të kësaj qasjeje.

Në vazhdim ua sjellim shkrimin e plotë të z.Ramiz Kelmendi

Të gjithë ne, (pozita dhe opozita) e kemi plotë gojën me fjalë miradije për mbështetje të bizneseve prodhuese dhe gjithnjë thirremi se po punojmë maksimalisht që këto biznese të shërbejnë për mbulimin e importit. Shpesh kritikojmë konsumatorët me propagandën e shkruar dhe elektronike se nuk janë të vetëdijesuar për mbështetjen e këtyre prodhimeve, por edhe të tjerët kritikohen se po dëmtojnë punën e këtyre veprimtarive ekonomike. Edhe pushtetet komunale bëjnë të njëjtën gjë. Edhe Qeveria është në kërkim të investitorëve të jashtëm, ndërsa faji është gjetiu mu në legjislacion, mu në kuptimin e nevojave të këtyre ekonomive prodhuese ekzistuese dhe të rejave që mundë të ndërtohen. Është e vërtet që ne kemi rini dhe njerëz të arsimuar, intelektualë që mundë të zhvillojnë Kosovën dhe të zhvillojnë veprimtaritë ekonomike, por legjislacioni është pengesa kryesore e kësaj.

Është e njohur që 85% e bizneseve përbëhen nga vendorët, (kemi këtu edhe aksionarë vendorë e ndërkombëtarë) dhe vetëm 15% e ekonomisë ndërtohet nga investitorët e jashtëm. Jo, sepse ne nuk dimë por nuk kemi kapital të mjaftueshëm për ti mbështetur këto ekonomi. Prandaj edhe fokusimi i më shumë se ç’duhet në kërkim të investitorëve të jashtëm nuk sjellë dobi pa pasur ekonomi të avancuar nga investitorët e brendshëm. Gjithnjë pengesë paraqesin takimet konstruktive me afaristët e sektorit të njëjtë, dëgjimi me kujdes i kërkesave të tyre, trajtimi profesional me ekspertë dhe realizimi i kërkesave si dhe njëkohësisht edhe kundërvlera e këtyre kërkesave, e që duhet të jet’ formaliteti në tërësi dhe shtimi i vendeve të punës dhe vlerave të punës. Në këtë rast legjislacioni, biznesmenët vendorë duhet t’i trajtojë si afaristë te domosdoshëm për plotësimin e zhvillimit ekonomik e jo për nga përkatësia e tyre politike, miqësore dhe prejardhja. Shembull, Bankat në Kosovë kanë një suficit prej 1.2 miliardë euro të depozitave të qytetarëve tonë të cilët janë në dispozicion për afaristët dhe ekonominë prodhuese dhe edhe këtu legjislacioni është pengesë, sepse sa herë që sjellim ligje për bizneset, ne sjellim ligje diskriminuese, për të cilat, pastaj në bizneset prodhuese kemi ngecje. Edhe në këtë rast të gjithë si pozitë dhe opozitë janë bashkëndëshkues të ekonomisë prodhuese.

Për të zgjedhur çështjen e punësimit të qindra mijërave të papunëve është e njohur që për një vend pune nevojiten nga 10 mijë deri në 100 mijë euro për ekonomi të vogla dhe të mesme, ndërsa për ekonomi të mëdha deri në një milion euro. Nëse p.sh. Llogarisim këta shembuj, na del se për 300 mijë vende pune nevojiten më se 7 miliardë euro dhe 20 miliardë euro investime, për një afat kohor prej 5 vitesh. Me këtë masë financiare dhe punësimesh duhet llogaritur dhe për këtë gjë, duhet legjislacion pozitiv. Është e vërtet që legjislacioni është shumë i përafërt me nevojat e ekonomive prodhuese por mos të harrojmë se nevojiten vetëm pak modifikime dhe implementim i tyre me vendosmëri. Një fjalë ekonomike thotë ‘nuk ka punëtorë të keq, ka punëtorë që nuk është i punësuar në vendin e duhur dhe jo mirë i menaxhuar’.

Andaj sa herë që bashkëbisedoi me prodhuesit ekzistues, gjithnjë kërkesat e tyre janë që të ndodhë implementimi i legjislacionit i cili i barazon ata me ekonomitë e vendeve fqinje, dhe kjo, nuk është e drejtë as juridike, as njerëzore e as ekonomike, që prodhimtarinë e vendeve fqinje të jenë në vendin tonë më të favorizuara se prodhimtaria vendore. Nuk mundë që këto prodhimtari të konkurrojnë në tregun tonë me prodhimtarit e vendeve fqinje. Vetëm nëse i qasen informalitetit, dhe edhe kjo nuk i barazon ekonomitë, zvogëlimi apo rritja e taksave në përgjithësi, si mundë tu konkurrojnë viteve të ardhshme ekonomive perëndimore kur të implementohet MSA-ja ? Jo, Nuk do kenë mundësi as ashtu, edhe po tentuan, nëse legjislacioni nuk implementohet pozitivisht. Pra e tëra lidhet me implementimin e legjislacionit në fjalë, përndryshe ekonomive prodhuese u mbetet vetëm një rrugë – të mos ekzistojnë fare.

Edhe një shembull në këtë kontest; Ne më shumë flasim për buxhetin që është i lartë, është i duhuri, etj etj por harrojmë se buxheti i Republikës së Kosovës është buxhet që rregullon mallrat dhe shërbimet dhe çështjet për të punësuarit në sektorët qeveritarë, komunalë, shëndetësorë, arsimorë dhe institucione tjera publike. Vetëm një përqindje e këtij buxheti shkon në investime dhe mirëmbajtjen e atyre të punësuarve ekzistues. Andaj nga kjo del se çdo rritje e buxhetit dhe çdo rritje e të hyrave është dhunim i ekonomisë së dobët, sepse, vetëm buxheti rritur nga të hyrat e shtuara ekonomike është buxhet real. Edhe buxheti i rritur nga zvogëlimi i informalitetit duhet të kthehet tek qytetarët me zvogëlim taksash apo grante për rritjen e punësimit, edhe rritja e buxhetit me rritje taksash është e dëmshme sepse të gjitha rritjet që i bëjmë për të hyrat e qytetarëve në një farë forme merr në anën tjetër po nga ta.

Duke parë se rolin vendimtarë në zhvillimin e ekonomisë prodhuese e ka legjislacioni dhe ndryshimi i vetëdijes së liderëve politik (pozitë dhe opozitë) se ekonominë e Kosovës e zhvillojnë qytetarët të cilët nuk duhet trajtuar si oponentë politik por si njerëz që realizojnë dhe hapin punësimin në mënyrë direkte dhe na e bëjnë qeverisjen më të lehtë, mendoi se një qasje e tillë e të gjithë akterëve të përmendur në këtë shkrim duhet të ndryshoi sa më shpejt. /Telegrafi/