Site icon Telegrafi

A janë të sigurt antibiotikët që të merren gjatë shtatzënisë?

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Konsiderohet se rreth 30% e grave marrin antibiotikë gjatë shtatzënisë, më së shpeshti rreth muajit të katërt të shtatzënisë.

Frika që mund të keni është se mos ndoshta antibiotiku ka ndikim negativ te fryti. Pra, pyetja që e keni në kokë është se a është më mirë ta merrni antibiotikun dhe tê shëroheni apo të mos e merrni dhe ta keni mendjen e qetë se nuk e keni ekspozuar beben ndaj rrezikut për ndonjë anomali?

Periudha kur duhet të keni shumë kujdes janë 12 javët e para të shtatzënisë, por problemi qëndron në faktin se një grua mund të mos e dijë që është shtatzënë në 3-4 javët e para të shtatzënisë.

Indikacioni më i shpeshtë i marrjes së antibiotikëve gjatë shtatzënisë është infeksioni i rrugëve urinare.

Ka antibiotikë të cilët nuk duhet të merren gjatë shtatzënisë, por ka edhe antibiotikë të cilët janë të sigurt që të merren gjatë shtatzënisë.

Grupi i penicilinave dhe cefalosporinave mund të merren pa problem gjatë shtatzënisë. Të sigurt konsiderohen edhe eritromicina dhe nitrofurantoina (deri në javën e 36).

Nuk duhet të merren tetraciklinat (sepse vështirësojnë zhvillimin e palcës kockore dhe i ngjyrosin dhëmbët e bebes) dhe streptomicina (sepse dëmton të dëgjuarit e bebes).

Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe bëni kontrolle të rregullta! Mos merrni asnjë bar pa u konsultuar me mjekun!

Pezmatimet e lehta të organeve urinare mund të trajtohen me preparate bimore dhe duke pirë sasi të shtuara të çajit dhe ujit. Duke pirë shumë lëngje (në radhë të parë ujë) ju e bëni të pamundur shumimin e mikrobeve. /Telegrafi/

Exit mobile version