Site icon Telegrafi

A i njohim mirë burrat?

Erilda Ajazi
Psikologe këshillimi

Gjithsesi, nëse i futemi diskutimit të kësaj teme, mund të themi se do të na duhet të ecim mbi një fushë ‘të minuar’, ku ekzistojnë evidenca “kundër” dhe “pro” faktit që ndryshimet gjinore janë të lindura apo të modifikuara nga ndikimi i mjedisit.

Natyra apo edukimi?

Nëse i referohemi deklaratës së Gurian për bazat biologjike mashkullore, ai pohon se diferencat seksuale vijnë si rezultat i biologjisë më tepër sesa procesit të socializimit. Edhe pse ky pohim zgjoi shumë debate, kjo pikëpamje u mbështet nga shumë psikologë, shkencëtarë biologë dhe evolucionarë.

Profesori i Psikologjisë në Universitetin e Missouri-t, Dr. David Geary, thekson se ka patur shumë ndryshime gjatë dekadave të fundit, duke kaluar nga një klimë shumë antagoniste si pasojë e idesë që diferencat gjinore kishin origjinën biologjike. Njerëzit mendonin se kjo nënkupton që identiteti seksual ishte i riprodhueshëm, edhe nëse kjo do të mbështeste një predominancë të femrave. Por shumë argumente kulturore nuk arritën t’i bënin qëndresë eksperiencës apo studimeve.

Sipas Dr. Steven Rhoades, autorit të librit “Konsiderata serioze për diferencat seksuale”, burrat dhe gratë ndryshojnë në atribute fizike, funksione riprodhuese, dhe në mënyrën e zgjidhjes të problemeve intelektuale.

Por një seri literature e kohëve të fundit i kundërshton këto pohime…dhe me mjaft të drejtë. Shumë nga këto evidenca e kanë origjinën nga rasti i famshëm dhe tragjik i David Reimer, i cili iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale që rezultoi në heqjen e organeve të tij gjenitale. Nën drejtimin e John Money të Spitalit John Hopkins në Baltimorë, Reimer u rrit si të ishte një vajzë.

Por ky ‘eksperiment’ rezultoi i dështuar, duke hedhur poshtë mundësinë që gjinia ishte një faktor social dhe Reimer u konvertua sërish në maskulinitet para se të kryente vetëvrasje. Gjithsesi, është akoma kontroversale të sugjerojmë se natyra është faktori predominues.

Një artikull i botuar në Revistën Britanike Psikologjike lëshoi “rrufe evidencash” duke sugjeruar se burrat kanë koeficient intelektual më të madh në krahasim me gratë. Pasi presidenti i Universitetit të Harvardit, Lawrence Summers komentoi se mungesa e grave shkencëtare udhëheqëse lidhej me diferenca gjinore të lindura, deklarata e tij u pasua nga protestimi i biologes së njohur Nancy Hopkins.

Lëvizja feministe do të kishte shumë punë për të bërë në lidhje me këto konstatime dhe fatmirësisht shumë përparime janë realizuar në këtë aspekt prej saj, duke ndërgjegjësuar opinionin dhe, më e rëndësishmja, klasa të ndryshme profesionistësh dhe grupe shkencëtarësh se kjo temë delikate nuk meriton një përgjigje kaq të theksuar njëanshmërie.

Kjo çështje ka nevojë për një trajtim dhe konsideratë më të gjerë të fakteve nëpërmjet ballafaqimit të argumenteve pro dhe kundër, duke peshuar me kujdes çdo evidencë, pa arritur në përgjithësime të nxituara.

Burrat i kanë frikë angazhimet

Përtej forcës fizike të burrave dhe aftësive riprodhuese të grave, cilat janë diferencat midis dy gjinive? Baron-Cohen beson se ka një diferencë vitale që ndikon të gjithë marrëdhëniet: burrat kanë tendencën të analizojnë dhe të ndërtojnë sistemet, të mbledhin të dhëna, të jepen pas makinave; ndërkohë që vajzat supozohet të jenë të kujdesshme, të rregullta, emocionale.

Midis kulturave ka shumë përputhje lidhur me stereotipet gjinore pasi rolet gjinore priren të jenë të njëjta në shumë vende të ndryshme edhe pse stereotipet gjinore kanë veti t’iu ‘përgjigjen’ detyrave që mendohet se janë të përshtatshme për sekset.

Gurian gjithashtu përmend edhe diferenca të tjera gjinore: burrat i kanë frikë angazhimet; gratë janë më të ndjeshme, përgjegjëse dhe iu besojnë ndjenjave të tyre; burrat janë më të tërhequr përsa i përket detyrimeve shtëpiake, etj.

Për më tepër, Rhoades thekson se këto ndryshime janë të dukshme edhe te djemtë apo vajzat e reja ku duhet qartë se ato vajzat janë më tepër empatike dhe të përkujdesshme se djemtë; ndërkohë që këta të fundit kanë tendenca të shfaqin sjellje më shumë agresive, të merren me sport, dhe të formojnë koalicione hierarkike konkurruese.

Tendenca e burrave për marrëdhënie seksuale të rastësishme

Një diferencë tjetër që vlen për t’u përmendur është tendenca e burrave për marrëdhënie seksuale të rastësishme. Këtë fakt e thekson edhe studiuesja Helena Cronin e London School of Economics në studimin e saj me studentë amerikanë të cilët pasi u pyetën për të dalë në një takim me një vajzë të panjohur, 50 % e djemve dhe vajzave u përgjigjën pozitivisht.

Por kur ata u pyetën nëse do të ishin të gatshëm të kryenin marrëdhënie seksuale gjatë këtij takimi të parë me një të panjohur, 75 % e meshkujve u përgjigjën ‘po’, ndërkohë që femrat u përgjigjën negativisht.

Edhe kjo ka një shpjegim me bazë evolucionare, pasi burrat mund të arratisen prej situatës dhe përgjegjësive pa e vrarë shumë mendjen, ndërkohë që vajzave iu duhet të përkushtohen të paktën për 9 muaj nëse marrëdhëniet e rastësishme seksuale kanë pasoja të tjera si për shembull një shtatzëni të paparashikuar.

Mesa duket pasojat e shprehjes popullore që përdoret në këto raste se ‘Ai stan këtë bulmet ka…’ duhet që t’i vuajnë në njëfarë mënyre vetëm pjesëtaret e seksit femër. /Telegrafi/

Exit mobile version