Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
Kolesteroli i rritur është një problem që është në rritje në popullatën tonë. Kolesteroli është një substancë e domosdoshme për organizmin. Shërben si materie ndërtuese për të prodhuar hormone të cilat janë jetike për ne. Por, nëse organizmi prodhon shumë kolesterol, kjo sasi e shtuar e kolesterolit mund të bëhet problem serioz për ne.
Kolesteroli prodhohet në mëlçi. Mëlçia prodhon kolesterol edhe nëse ne fare nuk hamë ushqime të cilat kanë kolesterol. Nëse ne hamë ushqime të cilat kanë shumë yndyra të ngopura, atëherë organizmi prodhon shumë LDL i cili quhet edhe kolesterol “i keq” i cili shtresohet në enët e gjakut dhe i bën ato më të ngushta (në raste më të rënda edhe mund t’i mbyllë në tërësi enët e gjakut).
Një fakt interesant është se është normale që niveli i kolesterolit gjatë shtatzënisë të jetë më i lartë. Pse? Vlera e rritur e kolesterolit gjatë shtatzënisë është e nevojshme për të prodhuar hormonet steroide siç janë estrogjeni dhe progesteroni.
Një shtatzëni nuk mund të ndodhë dhe as nuk mund të vazhdojë deri në termin nëse nuk ka sasi të mjaftueshme të estrogjenit dhe progesteronit. Poashtu, kolesteroli është i nevojshëm edhe për zhvillimin e trurit dhe të organeve tjera të bebes.
Vlera e kolesterolit fillon të rritet në tremujorin e dytë të shtatzënisë dhe e arrin kulmin në tre muajt e fundit të shtatzënisë. Kolesteroli kthehet në vlerat normale 4-5 javë pas lindjes. Kolesteroli në organizmin e një shtatzëne (kolesteroli total dhe LDL kolesteroli) rritet për 40-50% dhe për fat të mirë rritet edhe niveli i HDL kolesterolit i cili quhet edhe kolesteroli “i mirë”.
Ne, nuk e trajtojmë një shtatzënë nëse vlera e kolesterolit në organizmin e saj është e rritur, përveç nëse ajo grua shtatzënë ka rrezik jashtëzakonisht të madh për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Për më tepër statinat (të cilat janë barna për uljen e kolesterolit) nuk duhet të përdoren gjatë shtatzënisë, sepse shkaktojnë anomali të zhvillimit tek bebja.
Është vërtetuar se vlera e shtuar e kolesterolit ndikon shumë në zhvillimin e trurit të bebes. Edhe një fakt interesant është se qumështi i gjirit ka shumë kolesterol. Është vërtetuar se bebet të cilat ushqehen me gji do të jenë më pak të rrezikuara që të kenë sëmundje të zemrës dhe të enëve të gjakut kur të rriten.
Mënyra më e mirë për të mbajtur vlerat e duhura të kolesterolit është që shtatzëna të hajë shëndetshëm që do të thotë të hajë fruta, perime dhe fibra dhe të mos hajë ushqime të cilat kanë yndyra të ngopura. Poashtu, është shumë me rëndësi që shtatzëna të mbajë aktivitetin adekuat fizik pas konsultimit me mjekun e saj.
Mos harroni se një shtatzënë nuk ka nevojë për dyfish më shumë kalori gjatë shtatzënisë! shtatzëna ka nevojë për vetëm 300 kalori më shumë se përpara shtatzënisë, të cilat kalori shfrytëzohen për rritjen e bebes dhe për të përkrahur organizmin e shtatzënës. /Telegrafi/