Telegrafi

A është një ekzaminim me RM i rrezikshëm?

Përderisa nuk përdoren rrezatimet, ekzaminimi mund të përsëritet aq herë sa është e nevojshme, pa ndonjë pasojë. Teorikisht ekziston një rrezik i vogël për fetusin në 12 javët e para të shtatzënisë, për këtë arsye gjatë kësaj periudhe nuk preferohet ky ekzaminim.

Pacienti që të bëjë RM-në duhet të qëndrojë i shtrirë dhe të futet në brendinë e një cilindri të madh, moment ky që mund të jetë problematik për individët që kanë frikë nga hapësirat e mbyllura – klaustrofobik.

Kësaj kategorie të pacientëve shpesh duhet t’u jepet anestetik, transmeton Telegrafi.

Pacientët e tjerë që kanë frikë nga një gjendje e tillë konsultohen paraprakisht me mjekun e tyre, i cili mund t’u japë medikamente që mundësojnë relaksimin.

Aparatura gjithashtu gjatë incizimit lëshon zhurma të konsiderueshme, të cilat mund të jenë të pakëndshme për pacientin.

RM nuk mund të bëhet tek pacientët të cilët kanë implante elektrike, siç është një implant i veshit, PaceMaker, apo kanë në trup metale të tjera siç janë klipset e ndryshme kirurgjikale.

Por, metalet ortopedike si kukat artificial, apo protezat e tjera metalike në kushte normale nuk janë ndonjë problem.

Rezonanca magnetike është metoda diagnostikuese  më bashkëkohore, me anë të së cilës mund të kontrollohen të gjitha pjesët e trupit. /Telegrafi/