Telegrafi

A e shkakton buzëkuqi juaj kancerin e gjirit?

BBP, respektivisht, butil benzil ftalato, zbut elementet plastike dhe është pjesë e një numri të madh të produkteve kozmetike si, kremit, lëngjeve për pastrim etj., por edhe i ambalazhit të artikujve ushqimorë, lojërave, tepihëve dhe tretësve. Hulumtimet e mëhershme tashmë e kanë lidhur BBP-në me sëmundjen e veshkave dhe jofertilitetin, andaj është ndaluar në përpunimin e lojërave për fëmijë dhe pastës për dhëmbë, në të gjitha vendet e Evropës.

Tani një ekip i ekspertëve nga Center for Cancer në Fox Chase – Philadelphia, pohon që BBP, me grumbullimin në qelizat yndyrore, mund të shkaktojë kancerin e gjirit. Studimi i bazon përfundimet e veta në një eksperiment, në fakt, ata kanë ushqyer minjtë e rinj me qumësht në të cilin ka pasur përmbajtje të BBP-së dhe kanë dëshmuar ndryshimet në gjëndrat qumështore.

Megjithëse këto ndryshime janë zbutur, pas ndalimit të testimit, shkencëtarët besojnë që grumbullimi afatgjatë i këtyre kimikateve në organizëm, do të mund të sillte deri tek kanceri.

Madje, katër nga pesë produkte të kozmetikës në treg, përmbajnë BBP, shkencëtarët shpresojnë, duke pasur parasysh që ekzistojnë alternativa më të sigurta, që përmbajta e këtij kimikati në të ardhmen, do të mund të zvogëlohej.