Site icon Telegrafi

A e keni ditur se Biblioteka Kombëtare ka 1 milion e 800 mijë materiale në fondin e saj ?! (Foto)

Ai ka sqaruar se biblioteka në kuadër të saj e ka departamentin e koleksioneve të veçanta, në të cilin sipas tij, bëhet ruajtja e fondeve (koleksioneve të ralla dhe të veçanta).

“Libri më i vjetër që ndodhet në fondin e bibliotekës, është libri për Skënderbeun i Marin Barletit, i vitit 1553, të cilin na ka dhuruar një dashamirëse e shqiptarëve, Patrika Nugji, e cila jeton në Londër”, ka thënë Mehmeti.

Sa i përket pjesës se digjitalizimit të materialeve, ai ka theksuar se para dy viteve është bërë një memorandum bashkëpunimi në mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri, për krijimin e një portali albanologjik, ku është menduar sipas tij, që të dyja palët t’i digjitalizojnë materialet dhe t’i vendosin në atë portal, ku mund të kenë qasje të lirë të gjithë shfrytëzuesit.

“Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është një hap para nesh në aspektin e digjitalizimit të materialit që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Ne kemi ngecur pak duke filluar prej konsolidimit tonë si institucion, duke vazhduar edhe me mungesën e një skaneri profesional i cili ndonëse kushton, do ta na ndihmonte në procesin e digjitalizimit të materialeve të bibliotekës. Skaneri të cilin po synojmë ta marrim nuk e dëmton bartjen e materialeve. Jemi duke kërkuar fonde për ta arritur këtë gjë”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, përveç Ministrisë së Kulturës, i cili është institucioni i parë që e financon, ndihmë të madhe ka dhënë edhe Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, por edhe ambasadat e tjera.

“Më me ngut e kemi digjitalizimin e gazetave, për shkak të numrit të madh të atyre që kërkojnë materiale të cilat ndodhen në gazeta. Interesim të shtuar ka për materialet të cilat ndodhen në gazetat të cilat kanë operuar në vitet 90-ta. Jemi të interesuar që fillimisht të fillojmë më digjitalizimin e materialeve të gazetave. Ne besojmë që shpejt do të fillojmë procesin e digjitalizimit të materialeve të cilat ndodhen në bibliotekë, po që duhet kuptuar se ky proces do të jetë në vazhdimësi, derisa të arrijmë që t’i kemi të gjitha materialet e digjitalizuara”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka kërkuar që shfrytëzuesit e materialeve të Bibliotekës Kombëtare të jenë më të kujdesshëm gjatë kohës që e përdorin këtë material, për shkak se sipas Mehmetit, dëmtimi i tij është vështirë i riparueshëm dhe se sjellë probleme dhe telashe për shfrytëzuesit tjerë të po atij materiali.

Ndërsa, në pyetjen se sa të sigurt janë materialet që ndodhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, U.d i drejtorit të bibliotekës tregon se dy katet e bibliotekës që janë nën tokë, shfrytëzohen si depo të materialeve, ku ndër to sipas tij, është depoja e materialeve te veçanta, në të cilën ka siguri të lartë si në aspektin fizik dhe kushteve më të përshtatshme për ruajtjen e këtyre materialeve.

“Shumica e fondeve të materialeve janë nga periudha e ish – Jugosllavisë, nga viti 1945 deri në vitin 1990. Pas luftës ne e kemi bërë furnizimin me material kryesisht nga botuesit e Shqipërisë, për arsye se për librat e Kosovës, çdo botues në bazë të ligjit është i obliguar që ta na sjellë në bibliotekë pesë ekzemplarë. Blerjen e bëjmë të librave të autorëve të Shqipërisë, nëse ka nevojë. Ndodh që librat nga vendet tjera të botës të na bëhen në formë të dhuratave. Mos të harrojmë Shqipërinë, që na ka bërë dhuratë një kontingjent goxha të madh të materialeve. Në anën tjetër, ka individ të cilët kanë lidhje me shqiptarët, ose thjesht janë dashamirës të shqiptarëve, të cilët dërgojnë material që në t’i kemi në fondin tonë”, ka theksuar Mehmeti.

Ai më tutje ka sqaruar se objekti i Bibliotekës Kombëtare është inauguruar në vitin 1982, ndërsa puna për ndërtimin e tij ka filluar në vitin 1976, duke shtuar se “objekti i ka dy kate e gjysmë nën tokë dhe katër tjerë llogaritur së bashku me katin e parë”.

“Këtë vit, edhe pse e ka obligim, e falënderojmë Ministrinë e Kulturës, e cila ka ndarë një buxhet prej 200 mijë euro për investime në infrastrukturë. Ne e kemi pa të arsyeshme të investojmë në ndërrimin e komorave në sallat e leximit. Të gjitha procedurat kanë përfunduar, vetëm se i mbetet kompanisë ta filloj punën, për t’i ofruar studentëve kushte me të mira për lexim. Numri i studentëve që i shfrytëzojnë sallat e leximit ka rënë. Faktor mund të jetë fakti që nëpër fakultete janë hapur biblioteka. Numri i studentëve që shfrytëzojnë sallat e leximit, sillet diku rreth 3 mijë studentë, po varësisht edhe nga sezona, kemi edhe lëvizje të studentëve”, ka theksuar Mehmeti.

Sipas tij, gjatë sezonës së verës kemi numër më të vogël të studentëve që lexojnë, duke shtuar se edhe ata si Bibliotekë Kombëtare, si çdo institucion tjetër në Kosovë, janë të kufizuar në aspektin buxhetor.

“Çështja e pagave dihet si është e koordinuar, ndërsa në mallra dhe shërbime kemi një buxhet prej 140 mijëra euro, ku më kursime të mëdha mund t’i mbulojmë shpenzimet vjetore. Në mbulimin e shpenzimeve komunale kemi mungesë të buxhetit. Pastaj kemi një ambient goxha të madh, dhe si rrjedhojë e kësaj kemi shpenzime për nxehjen, rrymën, ujin etj. Mendoj që buxheti për mallra dhe shërbime duhet të rritet pak, për arsye se Biblioteka Kombëtare është objekt i madh dhe kërkon angazhim dhe përkushtim të madh”, ka shtuar ai.

Mehmeti ka sqaruar se materialet në gjuhën serbo-kroate zënë vendin e parë në fondin e materialeve që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Pastaj vijnë ato në gjuhën shqipe, duke u përcjellur nga ato në gjuhën angleze. Kemi edhe në gjuhë tjera, që i sigurojmë në forma të ndryshme, veçanërisht në formë të dhuratave”, ka shtuar ai./Telegrafi/
 

Exit mobile version