Reduktimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës për vitin 2015, për gjashtë milionë euro, është i papranueshëm për kryetarin e komunës, Shpend Ahmetin.
Ky reduktim vjen pasi Qeveria e Kosovës që nga 2015-ta do ta merr për bazë regjistrimin zyrtar të popullsisë që jeton në Prishtinë, e jo sikur deri tash që ka marrë për bazë vetëm numrin e banorëve.
Sipas kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti, Komuna e Prishtinës nuk mund të penalizohet për atë se regjistrimi i popullsisë nuk ka qenë i mirë. Madje, ai tha për KosovaPress se do t’i përgjigjen edhe në mënyre zyrtare Ministrisë së Financave duke i treguar arsyet që reduktimi është i papranueshëm.
“Granti i Qeverisë i ka tri pjesë: të shëndetësisë, arsimit dhe grantin e përgjithshëm. Ato bazohen në numrin e popullatës në një komunë. Deri tani për bazë Qeveria e ka marrë numrin e banorëve, 380 mijë banorë, ndërsa prej vitit të ardhshëm kanë thënë që do ta merr për bazë regjistrimin zyrtar që thotë se në Prishtinë banojnë 197 mijë banorë. Kjo për neve është e papranueshme, e paarsyeshme dhe e pakuptueshme. Të gjithë e dinë se në Komunën e Prishtinës nuk jetojnë 200 mijë vet, por së paku 350 mijë vetë. Ndërsa, gjatë ditës në Prishtinë qarkullojnë gati gjysmë milioni njerëz”, ka thënë i pari i Prishtinës.
Avni Kastrati, shef i Sektorit te Popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, tha për KosovaPress, përmes postës elektronike se numri i popullsisë së Prishtinës, nga e hëna deri të premten, ku pjesa dërmuese e njerëzve i shfrytëzon hapësirat dhe shërbimet e Prishtinës, është rreth 300 mijë banorë.
Ai tha se sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të vitit 2013, Prishtina do të duhej t’i ketë rreth 210 mijë banorë rezidentë.
Po ashtu, shtoi se gjatë regjistrimit të popullsisë në prill të vitit 2011, ishin mbi 56 mijë persona jo të Prishtinës që udhëtonin rregullisht çdo ditë, apo edhe banonin gjatë ditëve të punës në Prishtinë. Ata sipas tij ishin migrantë afatshkurtër në kryeqytet.
Kastrati tha se ekzistone edhe një numër i konsiderueshëm i popullsisë që hyjnë e dalin gjatë ditës në Prishtinë.
“Llogaritet të jetë nga 15-20 mijë. Pra, që janë në Prishtinë vetëm për një ditë, disa ditë ose javë, për punë, shërbim a obligim tjetër, si: student jo të rregullt, persona për punë mjekësore (QKUK), punë në gjykata, administratë, ministri, agjencione, ambasada, vizitë familjare-shoqërore, vizitë vendeve të ndryshme në Prishtinë, vizitë Prishtinës kur ka organizime kulturore-sportive, si dhe një numër i konsiderueshëm i personelit ndërkombëtar”, ka thënë Kastrati.
KosovaPress, tentoi shumë herë që të merrte në telefon edhe Ministrinë e Financave për qarkoren buxhetore që u kishte dërguar Komunës së Prishtinës, mirëpo kjo e fundit nuk është përgjigjur.
Për reduktimin e buxhetit në vitin 2015, ka reaguar edhe kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor të Prishtinës, Ylber Vokshi, në opinionin e tij “Nëse dëshirojmë të bëjmë kryeqytet”, ku sipas tij zvogëlimi i buxhetit të komunës është gabim funksional i Ministrisë së Financave, i cili gjithsesi duhet korrigjuar. /KP/Telegrafi/