Telegrafi

A duhet t’ua shpojmë veshët fëmijëve?

Lëvizja nisur nga Susan Ingram, i kërkon ministrit britanik të shtetit për fëmijët dhe familjet, të vendosë kushtin e një minimumi moshe për pirsing në vesh dhe ta bëjë të paligjshme këtë praktikë, për prindërit e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël.

“Është një formë keqtrajtimi për fëmijët. Atyre iu shkaktohet dhembje e fortë dhe frikë pa qenë e nevojshme. Kënaqet vetëm vaniteti i prindërve. Meqë format e tjera të dëmtimit fizik të fëmijëve janë të paligjshme, kjo nuk duhet të jetë ndryshe,” përshkruan Ingram në peticion.

Mbështetësit kanë lënë komente duke e quajtur shpimin e veshëve abuziv, vanitoz dhe të panevojshëm.

“Është abuzim i pastër me fëmijët. Nëse dikush do e përdorte atë pajisje në një pjesë tjetër të trupit të fëmijëve, do arrestohej dhe gjykohej…” shkruan njëri.

Ka dhe nga ata që e quajnë kundërshtimin e hapjes së vrimave të veshëve për vëthë te fëmijët, qesharak, shkruan revista class. Në Amerikën e Jugut të gjitha vajzave iu shpohen veshët sapo lindin.

Po a është shpimi i veshëve i dëmshëm për një fëmijë? Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrëve AAP , nëse pirsing bëhet në një mjedis steril dhe tregohet kujdes, ka pak rrezik.

Megjithatë, AAP rekomandon të pritet deri sa fëmija të jetë i rritur mjaftueshëm për t’i kërkuar vetë vëthët dhe të ketë mundësi të kujdeset vetë për veshët. /Telegrafi/