Site icon Telegrafi

A do të jetë Gazmend Abrashi kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës?

Nënkryetari i AAK-së, Gazmend Abrashi ka folur për mundësinë e kandidimit të tij për të parin e Prishtinës.  Ai ka thënë se akoma nuk ka vendosur nëse do të futet në këtë garë.

“Nuk kam vendosur definitivisht që të kandidojë për kryetar të Prishtinës. Në parti janë lakuar edhe dy emra të tjerë. Nuk jemi marrë me ketë, jemi marrë më shumë me Ramush Haradinajn. Qytetin e dua më shumë se kompaninë time. Do ta shqyrtoj këtë, por deri tash nuk kam marrë ndonjë vendim”, ka thënë Abrashi, duke folur në Zona B të Klan Kosovës.

Abrashi ka folur edhe për kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Shpend Ahmeti e ka dashur më shumë partinë sesa qytetin e Prishtinës. Mendoj që ka një meritë të madhe në ndaljen e ndërtimeve pa leje, por pritshmëritë kanë qenë më të mëdha.  Pritshmëritë e mija kanë qenë rindërtimi i Qendrës rekreative ‘Boro-Ramizi’, e cila përdoret si parking. Në anën tjetër ai ka dështuar në hartimin e planit rregullativ që është çështje fundamentale për një qytet”, tha ai.

Abrashi ka folur për ikjen e investitorëve nga Kosova, duke thënë se pushteti e ka pasur si arsyetim statusin e Kosovës.

“Deri vonë si argument themelor për mungesë të investimeve, pushtetarët e kanë pasur se Kosova e ka statusin e pazgjedhur. Deri në vitin 2009 Kosova ka pasur rritje të investimeve, që d.m.t.h nuk është lidh me statusin e Kosovës. Kemi përparësi dhe mangësi në krahasim me shtetet e regjionit”.

Abrashi ka thënë se në krahasim me Kosovën, Serbia është më e suksesshme.

“Investitorët potencialë që kanë pasur të vijnë në Kosovë ose kanë ikur në Serbi ose në Maqedoni”.

“Problemi i ynë elementar është se kushdo që është në pushtet po mundohet ta bëjë një tregim që mund të ketë rezultate brenda gjashtë muajve”.

Sipas tij, ka shumë argumente se pse një investitor duhet të vijë në Kosovë.

“Ne kemi fuqinë punëtore, por problem është arsimi. Diku 170 maune nga Kosova kthehen zbrazët nga Kosova brenda ditës”.

“Marrëveshja e MSA-së, na lejon mundësi shumë të vogël që përmes një produkti shumë të vogël nga Kosova të shitet me zero taksa. Por tregu i Kosovës është joaktraktiv”, tha Abrashi. /Klan Kosova/

Exit mobile version