Vargu i temave që presin te shtjellohen e të prezantohen për bisedime rri varur, dhe sikur thërrasin imagjinatën tone për të thurur garniturën e ndjenjave për këtë temë.
Nga ato ide dhe perceptime zgjodha këtë temë, e cila sikur me obligon të ofroj qasje nga këndvështrimi im, jo vetëm pse tematika që dua të trajtoj është aktuale, por mendoj që është edhe emergjente dhe një fitim i madhe për popullin tonë në përgjithësi.
Mbi 12 mijë të vrarë e të masakruar, shumica gra, pleq e fëmijë, qindra e mijëra gra të dhunuara, mijëra njerëz të zhdukur e të burgosur, 120.000 shtëpi të djegura e të granatuara, ky është bilanci tragjik i një politike shoviniste që e udhëhoqi regjimi serb, i përkrahur fatkeqësisht edhe nga popullata lokale serbe e Kosovës, e cila me ketë periudhë sikur nuk deshi të dinte për tolerancë dhe fqinjësi e vullnet të mirë.
Agresioni policor, ushtarak e paramilitar serb në Kosovë nuk i rrezikoi vetëm jetët e mbi dy milionë shqiptarëve, por ai shkaktoi rrënimin, djegien dhe shkatërrimin e një numri të madh të objekteve kulturore dhe fetare. Agresoret serbë duke rrënuar me vetëdije dhe me plan tërë atë që ishte ndërtuar me shekuj në truallin e Kosovës, trashëgimisë kulturore të Kosovës i shkaktuan dëme të pakompensueshme.
Gjatë ekspeditës kriminale serbe nuk janë kursyer as objektet me vlera të larta të arkitekturës dhe qytetërimit islam në Kosovë, siç janë Xhamia e Hadumit në Gjakovë, e ndërtuar para 400 vjetësh, Çarshisë e Vjetër dhe biblioteka e xhamisë e themeluar më 1592/5, me qindra dorëshkrime të vjetra orientale; Xhamia e Llapit e Prishtinës, e ndërtuar më 1470, selia e BIK-ut Prishtinë, e cila është djegur nga forcat serbe ditën kur në Prishtinë hynë forcat e NATO-s. Aty u dogj edhe arkivi i Bashkësisë Islame dhe shumë dorëshkrime të tjera me vlerë të madhe. Në qytetin e Pejës me rrethinë pothuajse janë djegur të gjitha xhamitë, si Xhamia e Çarshisë (1470), Xhamia e Kurshumlisë (1577), Xhamia e Defterdarit (1570), Hamami i Pejës si dhe Çarshia e vjetër. Shumica e këtyre objekteve kanë qenë në mbrojtjen e Institutit për mbrojtjen e monumenteve historike.
Nuk ka dyshim se shkatërrimi i objekteve historike dhe i veprave të artit ka qenë pjesë e procesit të gjenocidit serb.
Kështu, kur një popull bëhet objekt i sulmeve brutale për shkak të përkatësisë kombëtare, kulturore dhe fetare, synimi nuk është vetëm shkatërrimi i vetë popullit, me vrarje, masakra dhe me dëbim nga vendbanimet e tyre, por edhe shkatërrimi i objekteve që dëshmojnë se ata kanë jetuar në atë vend.
Veprat e kulturës shpirtërore dhe e qytetërimit shqiptar në Kosovë argumentojnë historinë e tyre të lashtë në Kosovë dhe në Evropë.
Ky vend dhe ky popull, Kosova dhe shqiptarët, me kulturën e tyre shpirtërore e materiale, me së miri kanë treguar përkatësinë e tyre autoktone kombëtare e fetare në këto treva. Për këtë arsye armiku bëri çmos që shqiptarëve t’ua ndërpresë tërë atë që i lidhë ata dhe dëshmon për të kaluarën e tyre.
Prej 560 xhamive sa kishte gjithsej para lufte në Kosovë, 218 u dogjën, u shkatërruan e u demoluan. U dogjën e u shkatërruan nga themeli 4 medrese të vjetra, ndërsa u demolua në tërësi objekti i ri i Medresesë “Alauddin“ në Prishtinë, u dogjën tre teqe, një hamam, 75 dyqane pronë vakëfnore, u dogjën e u shkatërruan 302 shtëpi të imamëve. Nga dora vrastare serbe u vranë 16 imamë, 1 punëtorë administrativ i BIK-ut dhe 14 nxënës e ish-nxënës të Medresesë “Alauddin” në Prishtinë.
U shkatërruan 86 minare, 117 mihrabe, 120 hytbe, 114 kupola, mbi 560 arabeska origjinale e autoktone të artistëve shqiptarë, madje disa të vjetra edhe me shekuj, mbi 12 mijë dorëshkrime dhe mus΄hafë të djegur, zhdukja e materialeve dhe lëndëve të vjetra arkivore që ruheshin në Arkivin e BIK-ut, numri i të cilëve arrinte ne mijëra. Kjo përbën një humbje të madhe jo vetëm për të kaluarën tonë kulturore, fetare e historike, po edhe për mbarë kulturën dhe qytetërimin botëror.
Qeveria e Beogradit, në bazë të konventave ndërkombëtare, është e obliguar të paguaj dëmshpërblimet morale dhe materiale ndaj popullit të Kosovës, sepse ajo kishte bërë agresion ndaj një vendi të pambrojtur dhe popullatës civile.
A nuk duhet të kërkojmë llogari nga Qeveria Serbe për të gjitha të këqijat që na ka shkaktuar?
Na duhet një vizion dhe strategji e duhur. Qeverinë e Beogradit, pavarësisht se kush është në pushtet, duhet ta mbajmë në shënjestër si shtet kriminal e gjenocidial dhe kontaktet me të duhet të bëhen vetëm atëherë kur Beogradi të kërkojë falje dhe ta kryej domëshpërblimin, për krimet që ka bërë në llogari të popullit të Kosovës, dhe thesarit të saj fetar dhe kulturor.
Të mos harrohet ajo çka ka ndodhur!