Site icon Telegrafi

A do ta godasë Romën tërmeti?

Parashikimi i Bendandit është temë e shumë portaleve italiane, ndërsa për tërmetin po debatohet në të gjitha rrjetet sociale, bile edhe televizioni shtetëror italian RAI është marrë me këtë temë duke u përpjekur t’i qetësojë qytetarët.

Bendani lindi në vitin 1893, ndërsa gazeta “Corriere della Sera” që në vitin 1924 e quajti “njeriun i cili parashikon tërmetet”, pasi kishte parashikuar saktë tërmetin, i cili më 2 janar të atij viti kishte goditur rajonin e Adriatikut.

Gjatë jetës e kishin vlerësuar si sharlatan, ndërsa ai tha se tërmetet janë pasojë e lëvizjes së planetit, Hënës dhe Diellit dhe mund të parashikohen. Ai thuhet se ka paraparë edhe disa tërmete tjera – më 13 janar 1915 në Avencan, 11 ballë sipas Merkalit, ku vdiqën rreth 30.000 njerëz, pastaj tërmetin më 6 maj 1976 në Friuli, ku vdiqën 1.000 veta si dhe tërmetin më 2 janar 1924 në Senegal.

Parashikimet e tij nuk ishin qind për qind të sakta, ai qëlloi vendin e tërmetit, por huqi datën, por vetëm për një ose dy ditë. Bendani po ashtu parashikoi se do të ndodhin tërmete shkatërruese më 2011 dhe 2012.

Njerëzit që përcjellin punën e tij thonë se në dokumentet që ai ka lënë nuk është caktuar vendi se ku do të ndodhin këto tërmete dhe pasi sivjet tashmë ka ndodhur një tërmet i fuqishëm në Japoni, besojnë se Roma megjithatë nesër do të mbetet e paprekur. Të tjerët thonë se në dokumentet e tij thuhet qartë se më 11 maj 2011 një tërmet i fuqishëm do ta godasë Romën. /Telegrafi/

Exit mobile version