Site icon Telegrafi

A besojnë politikanët në atë që e thonë?

“Politikanët vetë nuk besojnë, kurrë në atë çka ata thonë, prandaj befasohen atëherë kur tjerët besojnë në atë çka ata thonë”, thoshte gjenerali dhe politikani i mençur, francezi Charles de Gaulle. Nëse ky francez me nam, i cili jetoi dhe veproi në kohën e Luftës së Dytë botërore dhe pas saj, mendonte kështu në një kontekst kulturor substancial, ku tradita filozofike dhe mendimi kritik, qysh herët kishte ngulitur rrënjë, atëherë shtrohet doemos pyetja, si do të tingëllonte kjo referencë në kontekstin kosovar?

Ma ha mendja se ekziston një kompromis i përgjithshëm, në mendjet shqiptare, se fjalimet e shumta që dëgjojmë këto ditë, se këto vardisje politike që shohim këto ditë, se këto dokrra që dëgjojmë tani, se këto improvizime politike që bëhen pa pra, përfundojnë në thesin e shqyer të Baba Dimrit, menjëherë para Krishtlindjeve. Pikërisht atëherë kur do të duhej me ndodh e kundërta. Me 13 dhjetor, qytetari ynë sfilitet me jetën e tij të rëndomtë. Pa rrugë normale. Pa qeveri të shëndoshë dhe në interes të ideve të përgjithshme e të mirave të përgjithshme. Pa perspektivë të qartë, i izoluar, pa rrymë dhe ujë të bollshëm, pa përkujdesje shëndetësore të sigurt, pa punë dhe pa perspektivë stabile. Dhe me një klasë politike grindavece dhe super luksoze. Shteti i Kosovës, ende i pakonsoliduar nuk ka nevojë për një politikë të tillë dhe për deputet mendjengushtë.

A ka shanse mos me ndodh kjo? Dhe a kanë partitë tona njerëz të aftë me i veshur me pushtet? Edhe pse larg ideales, sigurisht se po. Mirëpo që të ndodh kjo, duhet qytetari i Kosovës të mos besoj në imazhe të rreme, në figura që luksin e fjalëve ngashënjyese, i kanë të ruajtur enkas për fushata dhe me to dalldisin popullin e vuajtur, që pret, vetëm pret.

Mos me qenë nihilist, kjo që e thash, assesi nuk nënkupton të refuzohet instrumenti esencial i demokracisë, dalja në votime. Përkundrazi, kjo duhet t’i motivoj njerëzit e mirë, sidomos ata që vazhdojnë të rezistojnë në heshtje, ndaj këtyre të këqijave që na kanë kapluar, të dinë të zgjedhin, pa inercion, duke e flakur mentalitetin e farefisnisë dhe sajesat e paqëndrueshme, që politikën e bëjnë qoftë në emër të këtij e qoftë në emër të atij.

Me gjithë faktin se këto zgjedhje, Kosovës i erdhën në kohën më të pavolitshme, në fakt, për herë të parë pas luftës, qysh kur Kosova praktikon jetën e lirë plurale, brenda subjekteve politike të reja dhe të vjetra, ka disa solucione të mira. Assesi ideale. Mirëpo, së paku shpresëdhënës.

T’i kthehemi edhe njëherë mendimit të lartëshkruar. Nëse ky mendim gjente shprehje në një vend me traditë të konsoliduar, siç është Franca, aty ku kishin lindur e ishin zhvilluar shumë rryma filozofike dhe politike perëndimore, atëherë çfarë duhet të mendoj njeriu ynë në kontekstin shqiptar? A duhet ai të jetë i verbër dhe të mos kërkoj më shumë se fjalime të lodhshme nga një politikë që deri me tani është treguar krejtësisht e paaftë për të ndërtuar shtet funksional, shtet për të gjithë, shtet për të mirat e përbashkëta. Për një sërë arsyesh, të cilat nuk do të kishin përfunduar edhe më dhjetëra shkrime, jo.

Populli i Kosovës, më shumë se kurrë, duhet të tregoj zgjuarsi dhe të jetë i vetëdijshëm se çfarë po zgjedh, kënd po e zgjedh dhe pse po e zgjedh. Qytetari i Kosovës duhet t’i largoj idetë e marra e imagjinatave, se po fitoj X partia, Kosova brenda ditësh, po na u rritka për disa për qind ekonomikisht, papunësia po na u zvogëlonte automatikisht, etj. Populli i Kosovës duhet të harroj se në Evropë hyhet me ata që s’i përqafojnë dhe duan idetë evropiane, vlerat dhe parimet evropiane, demokracinë evropiane, esencialisht. Populli i Kosovës, duhet t’i refuzoj ofertat të cilat duan që Kosova të bëhet pronë e ndonjë partie, për ambicie të vockla biznesi apo çka do tjetër. Populli i Kosovës duhet të dijë se të mirat e përbashkëta nuk mund t’i realizojnë ata që mendojnë se pushtetin në Kosovë duhet ta ketë X rajoni apo Y klani, gjëra këto të cilat janë të mirëditura te ne. Populli i Kosovës, duhet të dijë të zgjedh ata që interesin e përgjithshëm shteformues, mund ta vënë, pa hipoteka, para atij individual. E të tillë ka.

Në të vërtetë, në këtë amulli politike që ka përfshirë Kosovën, shpjegimet politike janë të zorshme. Është një kohë kur ngarendjet pas politikës kanë verbuar edhe kokat më racionale e më gjakftohta. Është një kohë kur i gjithë populli është fut në korin e politikës, ndërkaq dëgjues ka pak, shumë pak, madje tmerrësisht pak. Prandaj qytetari, ai i cili e ka pushtetin në dorë të tij dhe me të e vesh dikë, duhet me ditë qartësisht dhe pa hamendje, kënd po e vesh me pushtet dhe pse po e vesh? Logjika të thotë se referenca e përmendur në fillim të këtij teksti, mund të na shërbejë si një dritrrëfyese për gjithë ata që kanë votuar apo votojnë me inercion, të prirë nga idetë e ngushta rajonale, farefisnore e çfarëdo tjera. Çuditërisht, kësaj here në jetën politike, ekziston një shans më i mirë për të zgjedhur. Së paku në sipërfaqe duken ca lule, të cilat, nëse do të mbajë një diell i mirë dhe do të ketë vullnet qytetar, në pranverën e ardhshme, mund të shpërndajnë shenjat e një arome më të mirë për vendin tonë. Qytetari i Kosovës ka nevojë të besoj në këtë.

Prandaj në këtë vlug të mjegullt politik, kur dikush bënë rritjen ekonomike të Kosovës, si neper llotari, dikush e inkuadron Kosovën ne perëndim brenda natës, ndërsa kur dikush bënë reforma me figura të pareformuara, qytetarit si mbetet tjetër përpos të zgjedh, brenda këtij konglomerati njerëzish, ata më të aftët, më të mençurit, ata që e dinë çfarë është shteti dhe si bëhet shteti.

Exit mobile version