Mungesa e stafit shëndetësor po e pamundëson mbajtjen e kujdestarisë në 12 qendra të mjekësisë në kryeqytet. Nga 15 qendra gjithësej, vetëm në tri nga to mbahet kujdestaria.
Prej 15 qendrave të mjekësisë familjare në tërë Prishtinën, vetëm tri nga to e mbajnë kujdestarinë edhe natën, kjo për shkak të mungesës së stafit të mjaftueshëm të mjekëve dhe infermierëve.
Bujar Gashi, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë, ka thënë se që nga fillimi i mandatit, kujdesi parësor shëndetësor është përball me numër të vogël të punëtorëve shëndetësor.
“Ekzistojnë 15 qendra të Mjekësisë Familjare dhe 15 ambulanca në këto qendra. Puna është e organizuar nga ora 7:00 deri në ora 13:30 dhe nga 13:30 deri në 20:00”, tha për RTV Dukagjinin, Bujar Gashi.
Kryeshefi i Qendrës Kryesore së Mjekësisë Familjare, Sami Uka, ka thënë se përgjatë mungesës së vazhdueshme të stafit, ajo bëhet më e theksuar gjatë pushimeve vjetore.
“Stafi është i mjaftueshëm në rrethana normale, por gjatë pushimeve vjetore ndonjëherë kemi mungesa të cilat i kompensojmë me staf tjetër nga ndërrimi i ditës”, tha Sami Uka, përcjell Telegrafi.
Ata që më së shumti po e vuajnë këtë mungesë janë pacientët, të cilët kanë thënë se edhe pse pavarësisht që kanë bërë kërkesa, ato nuk janë miratuar ende.
“Trajtohem nga kanceri në këtë qendër prej gjashtë viteve, dhe injekcionet që më nevojiten më është dashur t’i marr para ose pas dite…”, tha Fatmire Ismaili.
“Mungesa e personelit po krijon vështirësi të mëdha. Ne patjetër po duhet t’i marrim shërbimet në këtë qendër pasi kjo na është caktuar”, tha Avni Muharremi.
Qendrat të cilat e mbajnë kujdestarinë gjatë natës janë: Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Qendra numër 5 në Dardani – Ulpianë dhe Qendra numër 4 në Xhemajl Ibish./RTV Dukagjini/Telegrafi/