Telegrafi

95 për qind e shqiptarëve kanë imunitet nga COVID-19, thotë mjeku Pipero

Mjeku Pëllumb Pipero deklaroi se 95 për qind e shqiptarëve kanë krijuar imunitet nga COVID-19, sipas një studimi të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Akademia e Shkencave.

Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Pipero nënvizoi se kjo e bën vendin tonë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga variantet e reja të COVID-19.

“Unë mendoj që njerëzit kanë një mundësi ta aplikojnë dozën e katërt të vaksinës, por flas për fasha të caktuara të popullsisë. Jo për të gjithë popullsinë. Kush ka bërë 3 doza është i mbrojtur maksimalisht, 100 të sigurt nuk ka. Ka një lajm shumë të rëndësishëm. Nga studimet që ka bërë Instituti i Shëndetit Publik dhe Akademia e Shkencave, rezulton që rreth 95% e shqiptarëve, e të rriturve kryesisht, kanë imuntitet”, tha Pipero.

“Kjo dëshmon që qoftë rënia në kontant me virusin, qoftë vaksinimi, kanë mundësuar arritjen e asaj që e quajmë imuniteti i tufës, çka ndryshe nga vendet e tjera, na bën neve më të sigurt, më të qetë dhe më të mbrojtur nga variantet e reja të COVID-19”, theksoi ai. /Telegrafi/