Nga 1548 kandidatë sa kishin aplikuar, vetëm 92 prej tyre kanë arritur të pranohen si Fellow në programin e trajnimit LIFE from Gjirafa.
Leadership Institute of Future Engineers – LIFE from Gjirafa tashmë ka startuar me aftësimin e fellows në fushën e inxhinierisë softuerike dhe shkencave kompjuterike përmes një programi të arsimit dhe aftësimit jo-formal dhe intenziv (9-mujor), përmes së cilit fellows do të përgatiten për tri profile të fushës së teknologjisë: FrontEnd, BackEnd dhe DevOps, me fokus të veçantë në kultivimin e aftësive dhe shkathtësive në lidership.
Pas përfundimit me sukses të këtij trajnimi, i cili është falas (me bursë të plotë), fellows do të punësohen në Gjirafa dhe KODE Labs, ku do të mund t’i praktikojnë aftësitë e fituara në inxhinieri dhe lidership edhe në botën reale të biznesit dhe teknologjisë.
Në ciklin e parë të LIFE from Gjirafa kanë aplikuar 1548 kandidatë nga komuna të ndryshme të Kosovës, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Pas disa fazave dhe filtrave të vlerësimit janë përzgjedhur 92 fellows, prej tyre 31 (33.7%) janë vajza. Ky proporcion gjinor në këtë fushë është një lajm shumë i mirë, sepse i kontribuon rritjes së barazisë gjinore në një industri, e cila kryesisht dominohet nga meshkujt.
LIFE from Gjirafa pritet të jetë një përvojë interesante, e dobishme dhe transformuese për të gjithë fellows.