Site icon Telegrafi

90 vjet pas Uilsonit

Kur presidenti amerikan Uidrou Uilson në Konferencën e Paqes të vitit të largët 1919 hodhi tezën e ‘vetëvendosjes së popujve’ shumë dëgjues, apo vëzhgues ndërkombëtarë mbetën të çoroditur nga ky nocion. Hezitimet vinin edhe nga njerëzit e tij më të afërt. Lesingu, bashkëpunëtor i ngushtë, mendonte se përmendja e fjalës ‘vetëvendosje’ kishte qenë një fatkeqësi, ngaqë do të ushqente shpresa që nuk do të mund të realizoheshin kurrë derisa “vetë ideja do të diskreditohej si ëndërr e një idealisti që nuk arriti të kuptojë rrezikun”. Veçova këto mesazhe nga libri i Margaret Mac Millan për konferencën e parë të Parisit në vitin 1919 ku Uillson, miku më i madh i kombit shqiptar lëshoi për herë të parë idenë që do të frymëzonte për 90 vjet zhvillime të rëndësishme në tërë botën.

90 vjet me vonë, Shtetet e Bashkuara mbështesin të njëjtin parim të vetëvendosjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) me argumente të fuqishme pro pavarësisë së Kosovës. Procesi në GJND po krijon rrëfimin legal për krijimin e shtetit të Kosovës, po krijon bazamentin juridik ndërkombëtar të ekzistencës së tij. Është njëlloj si rrëfimi i miqve që kanë parë diçka tonën, që tregojnë si e kanë parë ndërtimin e shtëpisë sonë, pse duhet të ndërtohej shtëpia jonë. Rrëfimin epik ne e kemi trashëgimi nga sakrifica e Jasharajve, rrëfimin politik e kulmuam në shkurt të vitit 2008. Ky rrëfim legal është i pari në llojin e vet, ndaj kështu shpjegohet pjesëmarrja masive e shteteve të ndryshme të botës. Ky rrëfim legal do të krijojë bazën për zhvillime të tjera në 100 vjetët e fundit. Me këtë proces, e drejta ndërkombëtare po pasurohet.

Nga agonia jo-zyrtare e Jugosllavisë, me procesin e GJND-së kalohet në shpalljen zyrtarisht të vdekjes së krijesës që për afro 80 vjet pati jetë në Ballkan. Këtë shpallje e bëri Kroacia, këtë e bëri përfaqësuesi SHBAsë kur tha se gjendja aktuale – shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe krijimi i shtetit të Kosovës, – kanë sjellë stabilitet në një rajon të turbulluar. Sic thotë historiania Margaret MacMillan, duke ju referuar 1919-ës, Jugosllavinë nuk e krijuan Fuqitë e Mëdha në Konferencën e paqes, pasi ajo de facto jetonte prej një viti, e sot fuqitë e mëdha nuk qenë të afta as të pengonin shpërbërjen e saj.

GJND është harta diplomatike e Kosovës. Njëjtë si në hartë, edhe aty janë adresat e rrugëve dhe lagjeve të njohura e të dashura, e terreneve të vështira apo të rrezikshme, etj. Në një mënyrë, procesi e lehtëson formulimin e qëndrimeve dhe politikave të Kosovës ndaj të tjerëve duke qenë se i detyron të tjerët t’i bëjnë publike këndvështrimet e tyre. Interesat janë qartësisht të lexueshme. Aty kuptohen miqtë dhe kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, e ekzistencës së saj si shtet i mëvetësishëm. Qëndrimi i GJND-së do të jetë i rëndësishëm. Ai do të sqarojë për disa shqetësime, për të tjerë do të përshpejtojë marrjen e vendimeve, kurse për një palë, të tregojë se Kosova është rast specifik dhe nuk ka ngjashmëri me të tjera zona konflikti apo territore të diskutueshme.

Ç’duhet të bëjmë ne në kushte të tilla? Duhet të shmangim diskutimet boshe apo të kultivojmë pesimizmin, ndoshta dhe nga gjuha e pakuptueshme juridike që përdoret atje. Duhet ruajtur optimizmi në një verdikt të GJND-së që ruan paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. Gjykatat, nga natyra, nuk punojnë që të lëshojnë urdhra të pa-qëndrueshëm a të pa-zbatueshëm. 15-20 shtete që kanë interesat e tyre dhe mund të mos e njohin Kosovën, mirëpo kjo nuk shkakton problem madhor, sepse kuorumi i nevojshëm prej 2/3 e shteteve, në asamblenë e vjeshtës, ia mundëson Kosovës anëtarësimin eventual në OKB. Sigurisht me rekomandimin e Këshillit të sigurimit, ku ka ende disa vende me të drejtë vetoje që e kanë bllokuar procesin e njohjes. Ne duhet të punojmë që të bindim të gjithë, pra edhe këta anëtarë se ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë një shtet të drejtë për të gjithë.

Çështja qëndron çfarë shteti? Kjo është një pyetje që nuk i takon më as GJND-së, as vendeve mike e aleate ta zgjidhin. Eshtë pyetje që ne i shtrojmë vetes dhe të cilën përgjigje e kërkojmë sërish nga vetja. Sikurse është vënë re, mbrojtësit e Kosovës në GJND I referohen vazhdimisht ‘fait accompli’, faktit të kryer. Andaj dinamika e zhvillimeve në terren do të krijojë një situatë që mund të jetë në favor ose disfavor tonin. Ne duhet të punojmë për ta mbushur me përmbajtje shtetin e ri të Kosovës: një shtet që punon mbi bazën e ligjit, një shtet të drejtë dhe të begatë që i ofron shanse të gjithëve. Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi hakmarrjen legjitime për krimet që janë kryer ndaj nesh: hakmarrja më e madhe për armiqtë tanë është ndërtimi i Kosovës së re si shtet funksional dhe ku ja vlen të jetosh.

Ne do të presim vendimin në 6-7 muaj e ardhshëm. Por kjo nuk bën të jetë periudhë pritjeje pasive. Përkundrazi, një aktivitet shumë i dendur diplomatik nevojitet gjatë kësaj periudhe. Sigurisht ka shtete të cilët vendimin e njohjes nuk do ta marrin nisur nga ajo çfarë bëjmë ne, por nga interesat e tyre. Me këto shtete vërtet s’kemi ç’të bëjmë, por ne duhet të punojmë me të tjerët dhe unë do të vazhdoj të punoj me miqtë e Kosovës anembanë botës për të shtuar numrin e njohjeve. Puna nuk ka përfunduar me mbrojtjen e dosjes së Kosovës në GJND. Muajt në vijim do të jenë të rëndësishme për imazhin e Kosovës dhe këtë imazh nuk e ndërtojnë miqtë tanë. Ata na dhanë të drejtën e vetëvendosjes për të cilën fliste Uidrou Uilson, por ne sot duhet të vendosim drejt për ndërtimin e Kosovës së re.

(Autori është president i AKR-së)

Exit mobile version