Site icon Telegrafi

90 mijë pushues kanë hyrë në Shqipëri brenda një dite

Një numër i lartë hyrjesh është shënuar gjatë 24 orëve në Shqipëri, ku janë regjistruar 90 mijë pushues shqiptarë dhe të huaj, njëkohësisht edhe 23 mijë e 400 mjete.

Në Kakavijë dhe Kapshticë vijon fluksi në hyrje, ndërsa deri tani kanë hyrë mbi 23 mijë persona dhe 7 mijë automjete.

Nga Policia Kufitare janë marrë masa për shtimin e sporteleve dhe krijimin e lehtësirave ligjore, me qëllim eliminimin e radhëve të gjata.

Gjithashtu, drejtuesit e Policisë Kufitare kanë kontaktuar me homologët e tyre në doganën greke për të shtuar sportelet, me qëllim lehtësimin e radhëve të gjata.

Policia greke ka shtuar sportelet dhe aktualisht po punohet me sportele të shtuara, në të dyja pikat e kalimit kufitar, shqiptare dhe atë greke, në Kakavijë e Kapshticë.

Fluks ka patur dhe në pikat e tjera të kalimit kufitar.

Në aeroportin “Nënë Tereza” dhe të Kukësit kanë hyrë rreth 13 mijë e 500 shtetas shqiptarë dhe të huaj; në Portin e Vlorës dhe të Durrësit kanë hyrë rreth 12 mijë e 500 shtetas dhe 2 mijë e 400 mjete; në Muriqan, në Hanin e Hotit, në Morinë, Bllatë dhe në Qafë Thanë kanë hyrë rreth 41 mijë shtetas dhe 14 mijë automjete.

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore. Gjatë 24 orëve të fundit kanë dalë nga Shqipëria rreth 70 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe rreth 21 mijë automjete./TCH/

Exit mobile version