Dendësia e borës në fshatrat e Malësisë së Tetovës ka arritur në 90 cm.
Bëhet fjalë për fshatrat Bozovcë, Veshallë, Vicë, Sellcë dhe Xhermë. Nga komuna e Tetovës dhe Bogovinës thonë se edhe pse është vështirë atje të depërtohet, ata i kanë marrë të gjitha masat e duhura për zhbllokimin e rrugëve atje.
Por banorët flasin të kundërtën, në redaksinë e TV21 u lajmërua një banor i cili tha se janë të ngujuar dhe nuk lëvizin dot nga bora e madhe.
“E pastrojmë me traktor. Bora ka arritur 80cm. Ne jemi mbi Bogovinë 5 km. Jemi 20 shtëpi dhe merremi me blegtori. E kontaktuam në mëngjes komunën na tha nuk keni votuar për ne, le tua pastron BDI-ja, le t’ua pastroje ai, le t’ua pastroje ky. Nuk interesohen aspak” , tha Jahish Ismani, banori i fshatit Sellcë.
Ndërsa i zëdhënësi Komunës së Bogovinës, Besir Miftrari, tha se po bëjnë të pamundurën që të pastrojnë të gjitha fshatrat që janë pjesë e kësaj komunë. Ai tha se fshati Sellcë është problem, pasi ka rrugë të ngushta dhe është vështirë për të depërtuar.
“Në fshatin Sellcë është një rrugë shumë e ngushtë edhe është e vështirë për tu pastruar. Por ne shpresojmë që edhe ajo të pastrohet. Në Novosel, Rakovec , Jellovanë janë të pastruara. Ndërsa rruga në fshatin Sellcë është pak më specifike, por shpresojmë që edhe atë deri në vendin ku mund të arrijmë do ta pastrojmë edhe atë si rrugët tjera”, tha Besir Mifatri, Zëdhënës i komunës së Bogovinës.
Të bllokuara mbeten fshatrat e Karadakut, si Tanusha, Breza e Malina. Ministri i vetëqeverisjes lokale tha se personalisht do të kontakton me kryetarët e komunave, që sa më shpejt të merren masa.
“Unë që sot do ta marrë për obligim, që personalisht ti paraqitem kryetarit dhe të gjitha institucioneve tjera relevante që sa më shpejtë t’ju dilet në ndihmë qytetarëve. Pasi që koha nuk shkon duke u përmirësuar unë këtë çështje do ta alarmoj edhe në nivelet më të larta të qeverisë”, u shpreh Suhejl Fazliu, Ministër i vetëqeverisjes lokale.
TV21 kontaktoi edhe autoritetet e Komunave tjera si Kërçova, Dibra, Shkupi e Kumanova, nga ku thonë se vazhdimisht bora po pastrohet, dhe siç thonë rrugët janë të kalueshme./tv21/