Ka përfunduar java e 16-të në elitën e futbollit kosovar.
Trepça ’89 ka shënuar fitore të thellë 4-0 ndaj Ferizajt duke u kthyer në pozitën e parë në tabelë.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç filloi pa gola edhe pse vendasit kishin disa raste të mira shënimi.
Në pjesën e dytë, 89-shi tregon dhëmbët duke shënuar tre gola për 11 minuta.
Ishte sulmuesi llapjan, Fiton Hajdari që shënoi golin e parë nga një largësi prej 20 metrave në minutën e 62-të.
Gjashtë minuta më vonë, sulmuesi nigerian, Oto John shënoi nga afërsia për 2-0.
Vetëm pesë minuta pas golit të dytë, John shënoi edhe të tretin pas një asistim nga Përparim Islami.
Për rezultatin përfundimtar 4-0, u përkujdes mesfushori Florent Hasani që shënoi në minutën e fundit të ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Trepça ’89 rikthehet në pozitën e parë në tabelë me 36 pikë, dy më shumë se Prishtina dhe tri më shumë se Llapi e Feronikeli.
Ndërkohë në Prizren, ndeshja mes Lirisë dhe Llapit përfundoi ashtu siç filloi pasi nuk pati gola nga asnjëra skuadër edhe pse rastet nuk munguan.
Trepça ka arritur ta befasoi Besën në Pejë duke e mundur me rezultat 1-2.
Pejanët kaluan të parët në epërsi kur shënoi në minutën e 78-të nga pika e bardhë Diar Miftaraj.
Por mitrovicasit befasuan duke barazuar fillimisht në minutën e 82-të nëpërmjet Arben Mustafës, ndërsa gjashtë minuta më vonë golin e fitores e shënoi Veton Shabani. /Telegrafi/