Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare (QKUK), gjatë vitit 2016, deri tani janë regjistruar gjithsej 87 raste të aborteve.
“Arsye më e shpeshtë e aborteve janë kushtet socio-ekonomike, por ka edhe raste të rralla të divorceve”, thotë për lajmi.net drejtuesi i repartit të planifikimit familjar, ku kryhen abortet, dr. Jakup Ismajli.
Ai thekson se nga 87 raste, “ tetë janë që kanë kryer për herë të parë abortin, do të thotë që nuk kanë lindë, kurse tjerat kanë pasur dy e më shumë lindje.”
Pas luftës, numri i aborteve ka qenë dukshëm më i madh. Mirëpo, sipas tij, numri i aborteve në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike (KOGJ), në pesë vjetëshin e fundit ka rënë dukshëm.
“Ka filluar planifikimi familjar, përdorimi i mjeteve kontraceptive, kështu që ky numër nga viti në vit po vjen duke rënë.”
Kurse sa i përket koleksionimitt gjinor, dr. Ismajli thekson se nuk ekziston diçka e tillë. “Koleksion gjinor nuk ka, në asnjë mënyrë.”
“Abortet kryhen nga java e gjashtë e shtatzënisë deri në javën e dhjetë. Kurse krijimi i organeve tek fetusi kryhet pas javës së 12’të”, shprehet ai.
Mosha rreth së cilës kryhen më shumë aborte, sipas Ismajlit, sillet prej 18 deri në 40 vjeç. /Lajmi.net/