Site icon Telegrafi

86 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës

Hasan Prishtina

Sot mbushen 86 vjet, kur në qytetin e Selanikut u vra në pabesi dhe mizori ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Prishtina.

Hasan Prishtina ka qenë nëpunës, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, aktivist shqiptar për autonominë e më pas pavarësinë shqiptare, ministër dhe deputet i shtetit shqiptar.

U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.

Mësimet e para i kreu në vendlindje. Vazhdoi shkollimin në gjimnazin frëng të Selanikut, më pas diplomoi në Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll. Pas përfundimit të shkollës punoi në Shkup, ku ishte pjesë e klubit “Bashkimi” në qytet dhe loboi pro shkronjave latine për alfabetin shqip.

Vrasja e Hasan Prishtinës u krye në ora 14.00 të datës 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit.

Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për te bakallhane ’’IVI’’ dhe në largësi, dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo.

Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar.

Kalimtarët e mbledhur panë vrasësin të turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretin në kokë, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes.

Ndryshe, kryeparalamentari Kadri Veseli, vitin e kaluar ka kërkuar që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë dhe të varrosen me ceremoni shtetërore, afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi.

Exit mobile version