Fondi evropian i investimeve (EIF) dhe Grupacioni ProCredit sigurojnë 800 milionë euro shtesë për kompanitë inovative të vogla dhe të mesme (SME), duke e sjellur totalin në 1.62 miliardë euro për kompanitë në njëmbëdhjetë vende.
Financimi i mbështetur nga EIF tani është në dispozicion përmes bankave ProCredit në Evropën Juglindore dhe Lindore dhe synon kompanitë duke përdorur teknologji të reja dhe duke prodhuar produkte të reja në një nga njëmbëdhjetë vendet ku skema garantuese është në dispozicion (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Moldavia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Romania, Serbia dhe Ukraina). Deri më sot, marrëveshjet me ProCredit tashmë kanë mbështetur rreth 2.000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme inovative, kryesisht në sektorët Prodhimtari dhe Tregti me shumicë dhe pakicë, dhe shumë më tepër do të financohen në vitet që vijojnë.
Këto marrëveshje janë nënshkruar në kuadër të nismës InnovFin të Komisionit Evropian, mbështetur nga programi i BE-së për hulumtim dhe inovacion Horizon 2020. Nisma InnovFin u mundëson bankave pjesëmarrëse që të ofrojnë kredi për kompanitë inovative me mbështetjen e një garance të ofruar nga EIF. Marrëveshjet e nënshkruara në vendet anëtare të BE-së u mundësuan nga mbështetja e Fondit evropian për investime strategjike (EFSI). EFSI është shtylla kryesore e Planit të investimeve për Evropë, të Komisionit evropian, poashtu i njohur edhe si “Juncker Plan”.
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Jyrki Katainen, përgjegës për Punë, Rritje, Investime dhe Konkurrencë, tha: “Dy vjet pasi lajmëruam për 820 milion euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në njëmbëdhjetë vendet, Fondi evropian i investimeve dhe ProCredit e dyfishojnë mbështetjen e tyre financiare, që nënkupton se tani janë në dispozicion 1.62 miliardë euro për financimin e kompanive të vogla dhe të mesme anembanë këtyrë vendeve. Ky nivel i vazhdueshëm dhe i zmadhuar i mbështetjes nga BE-ja do të bëjë një dallim të konsiderueshëm për mijëra njerëz me ide inovative biznesi në nevojë për financim, duke u shtuar 2,000 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që tashmë kanë përfituar nga kjo skemë.”
Kryeshefi ekzekutiv i EIF Pier Luigi Gilibert tha: Ne jemi pozitivisht të befasuar që marrëveshjet garantuese të InnovFin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me bankat e ProCredit janë duke dhënë rezultate të tilla pozitive. Rrjeti i vendosur mirë i distribuimit i Procredit, i kombinuar me ekspertizën e saj të kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, siguron që kreditë e mbështetura nga KE-ja të munden me shpejtësi të vendosen anembanë njëmbëdhjetë territoreve. Këto transaksione do u ndihmojnë kompanive që të kenë qasje në këto financa me mbështetje të BE-së, me qëllim që të shtyjnë përpara agjendën për inovacione në tërë Evropën.”
Dr. Claus-Peter Zeitinger, Kryesuesi i Bordit mbikëqyrës të Procredit Holding shtoi: “Zgjerimi i marrëveshjes sonë është një sinjal i rëndësishëm për grupin tonë. U tregon klientëve tanë se investimet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme inovative në Evropën Juglindore dhe Lindore do të vazhdojnë të mbështeten nga BE-ja, dhe poashtu demonstron se kontributi zhvillimor i bërë nga bankat ProCredit në vendet e tyre është duke u njohur nga BE-ja”.
Rreth EIF
Fondi evropian i investimeve (EIF) është pjesë e grupacionit të Bankës evropiane për investime. Misioni qendror i tij është të mbështet ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (SME) duke u ndihmuar atyre tek qasja në financa. EIF harton dhe zhvillon kapitalin, garanca dhe instrumente mikrofinanciare që posaçërisht shënjestrojnë këtë segment të tregut. Në këtë rol, EIF nxit nisma të BE-së në mbështetje të inovacioneve, hulumtimit dhe zhvillimit, ndërmarrësisë, rritjes dhe punësimit. Më tepër informata për punën e EIF nën EFSI janë në dispozicion këtu.
Rreth grupacionit ProCredit
ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me seli në Frankfurt am Main, Gjermani, është kompani mëmë e grupacionit ndërkombëtar ProCredit, i cili përbëhet nga banka për ndërmarrje të vogla dhe të mesme (SME) dhe përqëndrimi i veprimeve së cilave është Evropa Juglindore dhe Lindore. Si shtesë e këtij përqëndrimi rajonal, ProCredit grupacioni është poashtu i pranishëm edhe në Amerikën e Jugut dhe në Gjermani. Aksionet e kompanisë tregtohen në segmentin Prime Standard të Bursës së Frankfurtit. Aksionarë kryesor të ProCredit Holding AG & Co. KGaA përfshijnë investitorët strategjik Zeitinger Invest dhe ProCredit Staff Invest (përbërë nga makina investimi për personelin e ProCredit), Dutch DOEN Participaties BV, KfW Development Bank dhe IFC (pjesë e grupacionit të Bankës botërore). Si kompani e mbizotëruar e grupacionit sipas Aktit Gjerman për Bankat, ProCredit Holding AG & Co. KgaA është e mbikëqyrur në një nivel të konsoliduar nga Autoriteti Federal Gjerman i Supervizionit Financiar (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe nga Bundebanka Gjermane. Më tepër informata mund të gjenden në faqen e internetit të kompanisë www.procredit-holding.com.
Rreth Juncker Plan
Plani i investimeve për Evropë, i ashtuquajturi “Juncker Plan” është një ndër prioritetet kryesore të Komisionit Evropian. Përqëndrohet në nxitjen e investimeve për të krijuar vende të punës dhe rritje, duke shfrytëzuar më mirë burimet e reja dhe ekzistuese financiare, duke mënjanuar pengesat për të investuar dhe duke siguruar siguri teknike për projektet e investimeve. Fondi Evropian për Investime Strategjike (EFSI) është shtylla kryesore e Juncker Plan-it. Siguron garancë të humbjes së parë, duke lejuar EIB që të investojë në më shumë projekte, shpesh të rrezikshme. Projektet dhe marrëveshjet të miratuara për financim nën EFSI deri më tani pritet që të mobilizojnë pothuajse 410 miliardë euro në investime dhe të mbështesin rreth 952,000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme anembanë të gjitha 28 shteteve anëtare.
Rreth InnovFin
InnovFin Skema garantuese për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është e themeluar nën nismën “EU InnovFin Finance for Innovators”, e zhvilluar nën Horizon 2020, Programi Kornizë i BE-së për hulumtime dhe inovacione. Siguron garanca dhe kundër-garanca për financim të borxhit midis 25,000 euro dhe 7.5 milion euro me qëllim të përmirësimit të qasjes në financimin e kredive për ndërmarrjet inovative të vogla dhe të mesme (me më pak se 500 punonjës). Kjo skemë garantuese është e menaxhuar nga EIF dhe plasohet përmes ndërmjetësve financiar – banka dhe institucione të tjera financiare – vendet anëtare të BE-së dhe vendet e asociuara. Me këtë skemë garantuese, ndërmjetësit financiar kanë garancë nga ana e BE-së dhe EIF kundër një përqindjeje të humbjeve të tyre të shkaktuara me financimin e borxhit të mbuluar nga skema garantuese.