Enkel Demi
Është 8 Marsi dhe ka gjasa që në drekë mos të gjesh vend në restorante, kurse në mbrëmje jeta e natës do të njohë një shkëndijzë të re mesjave. Të nesërmen do të botohen në të gjitha portalet dhe rrjetet sociale foto të vajzave e grave që bëjnë party me djem që zhvishen ose si quhet në gjuhën e rëndomtë – striptease.
Kjo është pjesa urbane e festës, ajo më e dukshmja, më e rrokshmja, më e shitura. Pjesa tjetër është Nazime Visha, e cila sërish nuk ia doli dot të përfitonte faljen më shumë se tre muaj. Janë ato zonja, të cilat i bien shatit nga mëngjesi deri në darkë, janë ato vajzat që fqinjët, të afërmit, shokët, rrëmbyesit i kanë nxjerrë të punojnë në këmbësore.
Megjithëse për 8 Mars ka hare të madhe, nuk do të mungojë padyshim kreu i Qeverisë mes grave dhe ai i opozitës – mos gaboj – me opozitarët e Korçës. Edhe kësaj radhe gratë do të trajtohen si tufa. Janë ende të freskëta 8-at e shkuara, kur ish-kryeministri i mblidhte zonjat në Pallatin e Kongreseve dhe u fliste mbi dy orë. Ky i sotmi atëherë shpotiste, tash bën tëpkë njësoj. Kjo sepse ne vijmë nga shoqëri tejet patriarkale, ku gruaja është konsideruar nj’ashtu si bagëtia, pjellore, qumështore dhe kafshë pune.
Në mileniumin e ri nuk ndryshon shumë historia, pavarësisht se mund të kemi tablet dhe telefonë të zgjuar nëpër duar. Gratë në gjithë botën shqiptare hanë dru si gomari në duhan, përdhunohen, sakatohen dhe shfrytëzohen në mënyrën më shtazore. Edhe viti që lamë pas, edhe ky vit që kemi nisur kanë shënuar përkeqësim të jetës së gruas në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, kudo ku jetojnë burrat e shqipes. Rrihen nënat, motrat, të dashurat, gratë. Vriten për një fjalë goje dhe nuk i dhimbsen kujt, veç për 8 mars ca syresh i lënë të gëzojnë.
Shqiptarët janë kombi më frikacak në rruzull, përderisa e kanë normë morale të zhdëpin femrën. Një njeri që i gafurret më të dobëtit nuk është tjetër veçse një legen dhe këtë racë e kemi të shpeshtë në kronika lajmesh apo fotot që dalin nga gjykatat.
Kur Adami e ha mollën e ndalume në Kopshtin e Edenit, fajëson vetë Zotin, tek i thotë: “Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra.”
Dhe shqiptarët e kanë kuptuar fort bukur, i mbysin gratë, sepse ato e kanë fajin për frutin e Zanafillës.