Ish-drejtori i Policisë Sekrete Sasho Mijallkov, më 8 mars në orën 12:30 do ta dëgjojë aktgjykimin e parë të PSP-së ndaj tij, në rastin “Titanik 2”. Në seancën e sotme fjalët përfundimtare i thanë të akuzuarit Aneta Stefanovska dhe Sasho Mijallkov.
Ljupço Shvrgovski njëri nga katër avokatët e Mijallkovit, tha se PSP nuk ka dëshmuar fajin e klientit të tij për akuzat me të cilat ngarkohet, e cila siç tha, bazohet vetëm në një bisedë telefonike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai ju referua edhe mendimit të Gjykatës së Lartë se PSP është organ i paautorizuar për aktakuza, si dhe shtoi se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është organ kolektiv dhe vendimet merren me shumicë.
Vendimi për lëndën “Titanik 2” do të jetë i pari për aktakuzat e PSP-së ndaj Mijallkovit. Ai është i akuzuar edhe në rastet “Shënjestra-Fortesa”, “Tortura” dhe “Arka”, ndërsa i dyshuar në lëndën “Perandoria”. Nëse gjykata sjell aktgjykim të dënimit, dënimi për Mijallkovin sipas Kodit Penal duhet të jetë prej 1 deri 5 vite burg.
Ndryshe, në rastin “Titanik 2” të akuzuar janë edhe kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi dhe ish-anëtarët e KSHZ-së Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Srcev.
Ata dyshohen se në mënyrë joligjore kanë ndikuar në prishjen e votimeve në një vendvotim në Strumicë në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Në këtë lëndë të akuzuar kanë qenë edhe pesë gjykatës administrativ, por Gjykata e Apelit i liroi nga akuzat./Telegrafi/