Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës po vazhdon gjykimi i Zoran Vukotiqit, i akuzuar për vrasjen e katër shqiptarëve në qytetin e Vushtrrisë.
Në seancën e mbajtur sot dëshmi ka dhënë 76-vjeçari Faik Musa.
Ani pse në moshë të shtyrë dhe me gjithë vështirësitë që kishte si në të parë ashtu edhe në të dëgjuar, dëshmitari rrëfeu gjithë çfarë kishte përjetuar para dhe gjatë ditës së 5 Majit 1999, kur ishin vrarë katër shqiptarë në shtëpinë e Hamdi Fazliut në Vushtrri.
Faik Musa është ish-punëtor i Kooperativës Bujqësore në Vushtrri, në të cilën tha se kishte punuar për 26 vjet, vend ky në të cilin shqiptarët ishin maltretuar dhe kishin qëndruar gjatë kohës se luftës.
Pas pyetjes se prokurorit Flynn se a i kujtohej lufta në Kosovë, dëshmitari tha që as sot nuk i largohej nga mendja ajo kohë.
“Po kurrë nuk më largohet nga mendja. Jemi largu prej shtëpisë, kemi shku te një kushëri në Samadrexhë të Vushtrrisë. Unë kam qenë me gruan, fëmijët, miku im, Idriz Balaj me familje gjithsej kemi qenë 25 anëtarë“, tha dëshmitari, raporton Kallxo.com
Dëshmitari tregoi se pasi që kishin mbërritur në Vushtrri ishin vendosur në një shtëpi më 5 maj.
Me pas tregoi se si i akuzuari Zoran Vukotiq dhe një njeri tjetër kishin shkuar në shtëpinë e tyre, i kishin rrahur, u kishin marrë para dhe arin.
“Kemi shku, kemi hi në një shtëpi më 5 Maj. S’kemi pasë bukë as kurgjo. Në orën 11 ka ardhë e ka hi me automat me një koleg të vetin, kur ka hi me maskë veç sytë ja kom pa“, dhe dëshmitari.
I pyetur nëse e njeh të akuzuarin, ai u drejtua kah Zoran Vukotiq dhe tha: “Ai është. Prej syve e njoh”.
Tutje dëshmitari tregoi ngjarjen si kishte ndodhur pasi të dy kishin hyrë në shtëpinë e tij.
“Ai me maskë e ka pas automatin. Unë veç sytë ia kam parë. Por 20 vite kanë kaluar unë tash jam 76 vjeç dhe nuk I mbaj mend mirë. Ka hi mrena, 25 familjarë kemi qenë, si ka hi ka bo: “Mashallah, mashallah!”. Ka qitë automat na ka mbulu tymi dhe gratë e fëmijët kanë bërtitë. Na ka marrë dukat, na ka marrë pare, na ka ulë poshtë të gjithëve që kemi qenë në këmbe prej tute. Qato pare më kanë shpëtu se ka pasë me m’pre në fyt shoku i tij. Ky i ka thanë: Mos e prej se paska pare“, u shpreh dëshmitari.