Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, u zhvillua një debat i ashpër mes deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Gërvalla u përball me pyetje të shumta nga Musliu-Shoshi, të cilat përfshinin çështje si buxheti i ministres, paga e këshilltarit Gani Jakupi dhe përpjekjet e Kosovës për lobim ndërkombëtar.
Ndërhyrjet e kryesueses së Komisionit, Arbreshë Kryeziu-Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, që e akuzoi Musliu-Shoshin për ‘përdorimin e mikrofonit’ për të marrë vëmendje, shkaktoi një reagim të ashpër nga deputetja e PDK-së, e cila iu drejtua me “mshele”.
Ministrja Gërvalla, duke iu përgjigjur deputetes Musliu-Shoshi tha se PDK-ja ka paguar pesëfishin e asaj që akuzohet për këshilltarin Gani Jakupi gjatë kohës që ka qenë në qeveri, ndërsa iu drejtua deputetes së PDK-së duke i thënë “ju dëgjova, e ju vetëm po e shfrytëzoni mikrofonin për të shpërndarë gënjeshtra…”.
“…E ndjej veten shumë komod në këtë Komision… 7,500 euro, pikërisht partia juaj që ka qenë në pushte ka paguar pesëfishin e saj…Sinqerisht hezitoj të flas për financa. Më lejoni të flas, sepse unë ju dëgjova e ju vetëm po e shfrytëzoni mikrofonin për të shpërndarë gënjeshtra…”, tha ajo.
Ministrja mohoi se Jakupi është këshilltar i saj personal, duke sqaruar se ai është pjesë e një projekti njëvjeçar.
Sipas saj, paga mujore të cilën është duke e marrë Jakupi është shumë modeste, transmeton Telegrafi.
“Në kuadër të diplomacisë kulturore dhe në kuadër të përpjekjeve tona për ato vende që ende nuk kanë e njohur Republikën e Kosovës, vështirë është të gjesh personalitet të rëndësishme kulturore…jam shumë krenare që në këtë shumë modeste e cila nuk është pagë mujore, por që i përfshin shpenzimet e projektit një vjeçar, në Afrikë e në shtete tjera…me shumë kënaqësi vij e ju tregoj këtu për këto kontrata. Në vend që të hidhet baltë në imazhin e personaliteteve të rëndësishme, ky vend do të duhej t’i falënderonte ata për përkushtimin”, tha ministrja Gërvalla.
“Nuk ka asnjë dilemë dhe asnjë mister rreth kontratës që është lidhur në misionin tonë. Ai nuk është këshilltar i imi, por pjesë e projektit. Për të më sulmuar mua, po përdorni emrat e personaliteteve…nevojitet një përkushtim si opozitë, jo për të hedhur baltë por për tu marr me tema serioze. Ju lus për më shumë dinjitet dhe kujdes kur flisni për personalitete të shquara të kulturës, përmes mediave familjare dhe personale”, tha ajo.
Në lidhje me politikat e jashtme të Kosovës dhe hapjen e misioneve të reja, Gërvalla u shpreh se janë të interesuar të zgjerojnë praninë e Kosovës në shtete të reja.
“Jemi shumë të orientuar në Evropën Perëndimore. Po ashtu ekziston mundësia që të hapim një mision edhe në Amerikën Latine dhe në Azi, por nuk do të doja të hapesha në këtë. Jemi të interesuar të hapim misione të reja në vende të reja, edhe në Afrikë. Ndërsa, këto dy të tjera kanë marr trajtë dhe po presim përgjigje. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova është e përkushtuar që të jetë pjesë e Aleancës Atlantike”, tha ajo. /Telegrafi/