Site icon Telegrafi

74 vjetori i aneksimit të Kosovës nga Serbia

Pas ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës më 1945 dhe pas ngritjes së murit të ndarjes ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve në Kosovë, çështja e Kosovës dhe e trevave tjera që ngelën nën ish-Jugosllavi edhe më tutje do të mbetej e pazgjidhur.

Në Kuvendin e Prizrenit, mbajtur më 8-10 korrik 1945, Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ, më 23 korrik 1945 dhe nga ai serb më 1 shtator 1945 çështja e Kosovës do të konsiderohej çështje e mbyllur.

Pavarësisht se gjatë LANÇ-it ishin marrë shumë vendime dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit, ato jo vetëm që nuk u respektuan, por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën, dhe u quajtën vendime armiqësore, kurse njerëzit, që i përpiluan ato, u quajtën armiq të popullit, të cilët si të tillë u ndoqën dhe u likuiduan.

Në Rezolutën e Kuvendit të Prizrenit (Mbledhja e dytë e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës), u shpall se Kosova “me dëshirë të popullsisë së saj i bashkohej Serbisë federale në kuadër të Federatës jugosllave”.

Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të vetë popullsisë së Kosovës” kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e, me vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Ballkan.

E tërë kjo ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare./KosovaPress/

Exit mobile version