Site icon Telegrafi

74 mijë vezë u asgjësuan për një muaj

Në tregun e Kosovës vazhdojnë të shiten vezët pa vula, me çka po vihet në dyshim implementimi në tërësi i vendimit të vonuar i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit (AVUK) nga data 15 prill 2016.

Vendosja e një numri – të ashtuquajturit KOD të fermës, jep mundësi që inspektorët të kenë një identifikim më të qartë të produktit me vendin e prodhimit, po ashtu mundëson gjurmueshmërinë e produktit.

Por, në disa markete në kryeqendër, ka ende vezë të cilat nuk e kanë të vendosur vulën. Zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, ka thënë se Agjencia qysh prej se ka filluar të zbatoj vendimin e vitit 2008 për vendosjen e kodit në vezë, ka konfiskuar 74 mijë kokrra vezë.

“Ne në secilin rast nga koha kur kemi marrë vendim që të behët markimi i vezëve e deri më sot, janë mbi 74 mijë kokrra vezë të cilat janë larguar nga tregu dhe të cilat janë asgjësuar. N e do të vazhdojmë kështu në secilin rast kur ne hasim në treg në këso lloj vezëve në menjëherë do ti marrim vezët konfrom ligjeve në fuqi. Vezët që shiten direkt nga fermat tek konsumatori ato nuk dalin asnjë herë në treg dhe këtu nuk është në njëfarë forme shteti ndërmjetësues. Për këto ne nuk japim llogari. Ndërsa tregjet që janë brenda komunave dhe dyqanet e vogla kontrollohen nga inspektorët komunal, sepse për momentin inspektorët e komunave janë duke operuar në kuadër të komunave. Inspektorët kanë dal nëpër kontrolle. Kanë kontrolluar kryesisht qendra të mëdha tregtare në ato vende ku kanë hasë vezë që janë duke u shitur të pa markuar, ato i kanë konfiskuar menjëherë dhe i kanë asgjësuar, që të pengohet në njëfarë forme që të kemi shkelës të këtij vendimi”, tha Thaçi.

Ai tutje ka sqaruar se ky është vetëm hapi i parë, sepse me këtë kod AVUK-u e ka më të lehtë të identifikoj fermën në rast se ka parregullsi të vjetërsisë së vezës.

“Faktikisht ky nuk është një vendim i ri. Ne e kemi iniciuar që të respektohet rregulloja që e përcakton ruajtjen apo cilësinë e vezëve që është nxjerrë në vitin 2008. Ky është hapi i parë. Ne gradualisht do të shkojmë edhe me hapa të tjerë që deri në fund të vitit apo në fillim të vitit të tjetër do të hyjë komplet, dmth do të jetë e zbatueshme. Sepse përmes kësaj do të ruhet shëndeti publik. Prej kësaj rregullore është e përcaktuar që fillimisht ky kod i vezëve përcakton vezën se nga cila fermë ka ardhur, që në këtë formë të behët edhe gjurmueshmëria e saj. Përveç kësaj, ne marrim mostrat dhe e dimë nga cilat ferma mund të vi jë ndonjë defekt nëse eventualisht paraqitet. Sepse të gjitha fermat në Kosovë kanë një kod unik përmes të cilit ne mund t’i identifikojmë shumë më lehtë vezët që gjenden në treg”, tha Thaçi.

Kryetari i Shoqatës së Shpendarisë, Agim Sahiti, ka mirëpritur vendimin në fjalë, pasi tha se tanimë kanë mundësi që të zbatojnë fermerët vendimin e vitit 2008. Rreziku sipas tij për fermerët në vend është nga importi ilegal.

“Është e vërtet që Udhëzimi Administrativ ka qenë nga viti 2008, po nuk ka mundur të implementimet për shkak të pamundësive të fermerëve për shkak se ne kemi kryesisht fermer të vegjël. Por tani në marrëveshje me AVUK-un që kemi arritur, secili fermer në Kosovë e ka numrin unik identifikues edhe vulosjen e vezëve. AVUK-u e ka shumë më të lehët me identifikua edhe nëse e ka ndonjë problem me vezë të skaduar. Por nga ana tjetër edhe konsumatori është më i sigurt nëse ka dyshime se i kujt është ai prodhim. Ai identifikohet direkt me numrin që e ka secili fermerë”, tha Sahiti.

Ai ka shtuar se fermerët vendor janë rrezikuar prej importit sidomos prej hyrjeve ilegale dhe se nuk kanë mundësi të identifikohen.
Në vitin 2008 AVUK-u kishte nxjerrë Udhëzimin Administrativ 17/2008, që përcakton rregullat e detajizuara të etiketimit të vezëve, por tek në vitin 2016 ka filluar të zbatohet. Zyrtarisht asnjë herë nuk kanë dhënë përgjigje zyrtarët e AVUK-ut për këtë çështje. /Telegrafi/

Exit mobile version