Telegrafi

72 % e kosovarëve të gatshëm për protestë

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, thotë se gjendja ekonomike në Kosovë është duke u rënduar dita-ditës. Sipas tij, pjesa e varfër e qytetareve, është duke u varfëruar edhe më shumë. Ndërkaq, pjesa e pasur është duke e rritur dukshëm kapitalin e vet.

“Punëtoret shumë herë kanë kërkuar që të organizohen protesta për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, por ne i kemi shtyrë ato për shkaqe politike. Mirëpo, pas konsolidimit të Qeverisë së re vendi do të përballet me protesta të mëdha, nëse Qeveria nuk përmbush premtimet e dhëna para fushatës. Populli është lodhur dhe nuk duron më”, tha Arifi.

Sipas tij, pjesa e varfër e cila llogaritet të jetë rreth 14 për qind, është e pamundur të jetojë në ditë me më pak se një dollar, kur dihet se një bukë më pak se 400 gramë kushton 40 centë.

Edhe Nagip Skënderi, njohës i mirë i problemeve ekonomike në vend thotë se situata ekonomike në Kosovë është duke u rënduar dita-ditës. Sipas tij, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës të gjitha protestat që janë organizuar kanë qenë politike dhe pjesëmarrja në to ka qenë më e madhe.

Por, pas shpalljes së pavarësisë, sipas tij situata ka ndryshuar. Ai tha se qytetaret janë të gatshëm të dalin në protesta për arsye ekonomike, sepse nuk kanë rrugëdalje tjetër. /Zëri/Telegrafi/