Telegrafi

700 arka me 870 kg kanabis, policia del me deklaratë për operacionin anti-drogë në Berat

Policia e Shtetit dha sot një deklaratë lidhur me operacionin anti-drogë në Berat.

Në njoftim u tha se policia dispononte informacion për serën që përdorej për prodhim dhe trafikim lëndësh narkotike.

Shërbimet e policisë arrestuan në flagrancë 11 persona që dyshohen si organizatorë. Pronari është një 36-vjeçar, ndërsa gratë që paketonin produktin po hetohen për të kuptuar rolin e tyre në organizatë. Ato ishin kryesisht nga zonat periferike të Tiranës.

Policia njoftoi se ka konfiskuar dy pistoleta dhe një kallashnikov, katër makina dhe shumë aparate celularë dhe 870 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, Neritan Nallbati deklaroi se janë kapur 700 arka me kanabis dhe 8 thasë me boçe kanabisi.

Hetimet po vijojnë, ndërkohë që është ngritur një grup i posaçëm hetimor. /Telegrafi/