Sa u përket të punësuarve në Kosovë, 71.6 për qind kanë kontratë të përkohshme, thuhet në raportin “Anketa e Fuqisë Punëtore në Kosovë, tremujori i tretë 2018”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Agjencia thotë se shkalla e punësimit për këtë tremujor ishte 29.1 për qind.
“Dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42 për qind. Shkalla e punësimit për tremujorin e tretë 2018 ishte 29.1 për qind. Punësimi me i lartë ishte te meshkujt me 45.6 për qind, ndërsa punësimi te femrat ishte 12.6 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.5 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 44.1 për qind”, thuhet të raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.
Sa u përket të punësuarve me kontrata, ASK thotë se 71.6 për qind kanë kontratë të përkohshme.
“Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 28.4 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.6 për qind kanë kontratë të përkohshme. Sipas rezultateve të anketës, shkalla e papunësisë është 30.7 për qind. Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.8 për qind, krahasuar me meshkujt me 29.5 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55 për qind. Fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 80.7 për qind, krahasuar me meshkujt me 35.3 për qind”, vijon njoftimi.
Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e Kosovës, ku janë anketuar 3,437 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011. /Telegrafi/