Site icon Telegrafi

‘7 Marsi’ i gjen pa libra nxënësit shqiptar në Kumanovë!

Sot mësimdhënësit shqiptar po pranojnë urimet më të sinqerta për “7 Marsin” dhe dhurata modeste në shenjë dashurie. Gjithandej kjo ditë po shënohet me programe artistike, në kuadër të së cilave nxënësit përpiqen të shprehin mirënjohjen që ndjejnë. Por kushtet në shumë shkolla shqipe në Kumanovë vazhdojnë të jenë të mjerueshme dhe nevojat parësore të mësuesve e nxënësve të paplotësuara.

Shkollat fillore

Ato që zbukurojnë muret e korridorit të sh.f.  “Jeronim De Rada” në fshatin Çerkez janë kupat e shumta, që nxënësit i kanë fituar në garat e futbollit, por shkolla nuk ka sallë sportive. Dritaret e kalbura lejojnë të depërtojë i ftohti nga jashtë, koftorët për ngrohje janë të vjetër, ndërsa kulmi prej azbesti është kancerogjen. Edhe sot, rreth pesë muaj pas publikimit të artikullit rreth shkollës gjendja është e njëjtë. Këtë e konfirmoi vetë drejtori, Hakik Jahiu, Deri tani për momentin e njëjta gjendjeështë, pa kurrfarë ndryshimesh”-tha.

Sh.f. “Kongresi i Manastirit” në fshatin Llopat, përveç nevojës për sallë sportive, shtim të klasave, ndërrim të kulmit kancerogjen, rojtar e psikolog, përballet me nevojën e ndërrimit urgjent të dyshemeve të kalbura të 8 klasave. Tashmë katër muaj, nga Sektori për arsim i komunës së Kumanovës kishin konfirmuar ekzistimin e projektit konkret për renovimin e dyshemeve. Megjithatë “Jo, në të njëjtën gjendje jemi”-ishte përgjigjja e drejtorit, Ramadan Aliu, i pyetur se a ka ndryshuar gjendja.

Aliu sqaroi se akoma nuk janë furnizuar të gjithë nxënësit me tekste shkollore, “281 nxënës janë me komplete librash, por rreth 12% nga nxënësit nuk i kanë të kompletuara.”

Sh.f. “7 Marsi” në fshatin Opajë, të komunës së Likovës është ndërtuar në vitin 1922 dhe që atëherë nuk ka pësuar ndonjë ndryshim. Në të mungon hapësira e mjaftueshme për klasë, zyrë, bibliotekë, kabinet, ndërsa zyrat sanitare ndodhen jashtë objektit. Në veçanti problem paraqet dyshemeja e vjetër, tashmë me vrima. Pikërisht dyshemeja ishte pjesë e projektit komunal, që sipas kryetarit të Komunës së Likovës, Sadulla Duraku duhet të përfundojë këtë muaj.

G.R, arsimtare në shkollën në fjalë konfirmoi se akoma asgjë nuk është bërë. Ndërsa sipas saj, janë sjellur disa libra, por se ende nuk janë furnizuar të gjithë nxënësit.

Shkollat e mesme në Kumanovë

SH.M.K. Gjimnazi “Sami Frashëri” e ndan të njëjtin objekt me SH.M.K. Teknike “Nace Bugjoni”. Kjo e fundit ka shtuar numrin e klasave, me të a.q. ‘klasa plotësuese’, të ndërtuara në baraka, ku sipas nxënësve vështirësohet frymëmarrja.

“Edhe pse ekziston marrëveshje e shkruar mes Ministrisë së arsimit dhe pushtetit lokal për dislokim të shkollës ‘Sami Frashëri’ në ambientet e ish-kazermës, asnjë punim s’ka filluar. Me fjalë tjera ende e ndajmë të njëjtin objekt, i cili edhe ashtu nuk është shkollë tipike.”-deklaroi Fatri Saliu, profesor në shkollën e mesme teknike, njofton Portalb.

Elham Ademi, drejtori i SH.M.K Ekonomike “Pero Nakov” theksoi problemin me tekstet shkollore, “Nxënësit kanë libra për pjesën dërmuese të lëndëve, por nuk kanë libra për lëndët profesionale në profilet: Teknik i konfeksionit, Teknik i mbathjeve si dhe në profilin e ri, Teknik bankier.” Ademi gjithashtu njoftoi se do të fillojë ndërtimi i sallës sportive në oborret e shkollës,“Gjithçka është në rregull. Vetëm duhet të hiqen disa drunj në vendin ku do të ndërtohet salla dhe të fillohet me punë. Besoj që javën e ardhshme do të fillojë.”

USHT e disperzuar

Në USHT Kumanovë këtë vit u regjistruan studentë të rinj vetëm në drejtimin Administrim biznesi (Fakulteti i administrim-biznesit), pasi që 3 drejtimet tjera: Administratë publike (Fakulteti i administrim-biznesit), Informatikë dhe Gjuhë dhe letërsi angleze janë ‘në pauzë’. /Telegrafi/

Exit mobile version