Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 62.782 raste nga 254.568 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.528 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 54.440 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.814.
Ndryshe, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një videoje ka bërë të ditura masat të cilat duhet të zbatojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, gjatë ditës së zgjedhjeve, pra të dielën e 14 shkurtit në Kosovë.
KQZ ka bërë thirrje që të respektohen masat antiCOVID, ndërkaq thekson se duhet të mbahet distanca fizike në momentin që qytetarët janë në vendvotime.
Njoftimi i plotë:
KQZ njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve.
-Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën;
-Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim;
-Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart;
-Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit;
-Pas identifikimit, rivendoseni maskën;
-Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimin dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimin në kutinë e votimit;
-Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni sërish duart.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre masave të domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së shëndetit. /Telegrafi/