Site icon Telegrafi

610 mijë turistë vizituan Shqipërinë vetëm në shtator

Ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se “gjatë 28 ditëve të muajit shtator, Shqipëria është vizituar nga 610 mijë turistë, pra 34% më shumë se shtatori i 2017”.

Në takimin e organizuar në Pustec në kuadër të programit “100 fshatrat”, ministri Klosi tha se “kjo dëshmon edhe njëherë se ne kemi shumë mundësi që turizmin ta shtojmë, ta diversifikojmë, të mos jetë vetëm bukuria e detit, magjia e plazheve tona fantastike, por ta kombinojmë në mënyrë perfekte, ashtu si dhe turizmi e do në gjithë Europën për të pasur një përthyerje 50% me 50% ndërmjet bukurisë së deteve dhe magjisë që ka zona jonë e brendshme e Shqipërisë”.

“Zona e Prespës falë projektit të menaxhuar me shumë kujdes nga miqtë tanë të KFW me ekspertët shqiptarë të gjithë kësaj fushe, do të bëjnë të mundur që të kemi një zonë të parë që mund të shërbejë si shembull jo vetëm për zonat e tjera të Shqipërisë, por për gjithë rajonin, si një pikë ku mund të përthyhen shumë mirë politikat e zhvillimit të turizmit, biznesi i ri, si një ekonomi e re, si dhe më shumë mirëqenie e më shumë punësim”, nënvizoi Klosi, transmeton atsh.

Duke folur përsëri për shifrat e numrit të turistëve, Klosi bëri të ditur se gjatë muajit gusht u shënua një rritje prej 27% të turistëve, më shumë se në të njëjtin muaj të 2017″. /Telegrafi/

Exit mobile version