Ministria e Financave ka përkujtuar bizneset përfituese të subvencioneve të shtetit, se me rastin e plotësimit apo përditësimit të llogarisë bankare në sistemin EDI të ATK, ato duhet të vendosin numrin e llogarisë së biznesit (jo llogari individuale/private), dhe një e-mail adresë ku dëshirojnë t’i pranojnë njoftimet.
Në një njoftim për media thuhet se subvencionimi prej 60 milionë euro nga masa 1.1 sipas vendimit të Qeverisë i dedikohet bizneseve dhe se bizneset përfituese nuk kanë nevojë të aplikojnë dhe as të dërgojnë të dhëna apo njoftime në Thesarin e Kosovës.
“Të dhënat janë siguruar vetëm përmes sistemit EDI të ATK-së. I gjithë procesi i ekzekutimit të pagesave për bizneset që përditësojnë llogaritë bankare, do të realizohet në vazhdimësi, në bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet Thesarit dhe Administratës Tatimore, dhe ju nuk kërkohet të kryeni veprime tjera”, thuhet në njoftim.
Ministria e Financave njofton bizneset se informacionet përmes telefonatave individualisht është e pamundur të ofrohen, pasi ndaj palëve të treta nuk kanë mundësi të verifikojnë identitetin e telefonuesit dhe raportin e tij me biznesin për të cilin interesohet, dhe për këtë qëllim kanë dërguar shkresa të personalizuara ku janë të gjitha të dhënat dhe udhëzimet e nevojshme. /Telegrafi/