Telegrafi

60 milionë euro për zhvillim socio-ekonomik

Në një fjalë rasti pas ceremonisë së nënshkrimit kryeministri Thaçi tha se Kosova si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, tashmë ka perspektivë të qartë dhe të sigurt evropiane.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim të jashtëzakonshëm është duke bërë të gjitha reformat adekuate për të përshpejtuar procesin e përmbushjes së standardeve për integrimin e vendit tonë në Bashkim Evropian”, ka thënë Thaçi.

Shuma prej 60 milionë eurosh – sipas tij – përmban projektet, të cilat janë në përputhje të plotë me prioritet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si në aspektin e përmbushjes së kritereve politike, ekonomike dhe legjislative.

Thaçi ka thënë se “qeveria siguron që këto projekte të implementohen me kohë, në transparencë dhe përgjegjësi”. “Do t’i japim llogari dhe do të ketë transparencë për çdo cent”, është shprehur ai.

Ndërkaq, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, Renzo Davidi, ka thënë se Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë. Ai ka thënë se projekti realizon objektivat financiare afatmesme të Komisionit për përudhen 2008-2010.

Projekti ndër të tjera do të përfshijë ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë në vlerë prej 25 milionë eurosh, ndërsa 10 milionë do të shkojnë në Fondin e Mirëbesimit dhe menaxhimin e borxheve të Kosovës. /Telegrafi/