Telegrafi

60% e shqiptarëve nuk dinë gjuhë të dytë, në Kosovë statistika po konsiderohet jo reale

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, 60% e shqiptarëve nuk dinë asnjë gjuhë të huaj. Ky rezultat doli të jetë një nga përqindjet më të larta në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar.

60 për qind e shqiptarëve nuk dinë ndonjë gjuhë të dytë, pos asaj amtare. Të dhënat të cilat i nxori Institutit Europian i Statistikave, EUROSTAT, po shihen tejet zhgënjyese.

Komisioneri për gjuhët i në Qeverinë e Kosovës, Slavisa Mladenoviq, tha se pavarësisht që gjuhët e huaja mësohen gjatë shkollimit, ato nuk i njohin qytetarët e Kosovës.

Sipas Mladenoviç, kosovarët nuk njohin as gjuhët e tjera zyrtare që janë  në Kosovë, si ajo serbe.

“Nuk po mundem të flasë për gjuhën angleze apo gjuhët e tjera të huaja por është zhgënjyese raportimi se 60% nuk e njohin një gjuhë të dytë të huaj kur kemi parasysh se ato janë të përfshira në sistemin arsimorë. Por kjo përqindje është reale edhe sa u përket njohjes së gjuhëve zyrtare në Kosovë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Slavisa Mladenoviq.

Ndërsa, dekanja e Fakultetit Filologjikë, Lindita Sejdiu – Rugova, ka thënë se sondazhi i EUROSTAT-it, është befasues. Sipas saj, interesimi për të mësuar gjuhë të huaja gjithmonë po rritet, përcjell Telegrafi.

“Të rinjtë tanë që studiojnë këtu janë shumë të mirë në gjuhë të huaja. Sidomos gjeneratat e reja janë më të mira se gjeneratat paraprake sa u përket gjuhëve të huaja. Natyrisht kjo nuk vlen edhe për gjuhën e shkruar pasi aty kemi mjaft punë për të bërë. Në gjuhën e folur kemi pritur që situata të jetë më ndryshe”, deklaroi Lindita Sejdiu Rugova.

Sipas studimit nga Institutit Europian i Statistikave, në përgjithësi 35% e qytetarëve të Bashkimit Evropian, nuk dinë asnjë gjuhë të huaj. /RTV Dukagjini/Telegrafi/