Konventa e Parë e Prodhuesve e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, është e para e llojit të tillë të organizimit në Kosovë që prek drejtpërdrejtë sektorin e prodhimit. Në konventën dy-ditore do të diskutohen tema të një rëndësie të veçantë të cilat ndërlidhen me ecurinë dhe sfidat e ndërmarrjeve prodhuese në Kosovë.
Më poshtë, kemi renditur 6 arsye pse prodhuesit, politikë-bërësit por edhe të angazhuar tjerë në çështjet ekonomike duhet të marrin pjesë në këtë konventë.
Mundësitë për financimin e eksporteve
Kosova ka një deficit të lartë tregtarë dhe kjo po e ngadalëson zhvillimin ekonomik të vendit. Përmirësimi i bilancit negativ tregtarë varet nga disa faktorë. Njëri nga faktorët që mund të kontribuoi në përmirësimin e bilancit tregtarë është edhe ndërtimi i institucioneve për financim të eksportit. Në këtë aspekt, përmes një paneli ku do të marrin pjesë ekspert vendor dhe ndërkombëtarë, do të diskutohet për modelet e financimit të eksportit dhe rolin e tyre në tregti ndërkombëtare.
Programet e mbështetjes së eksporteve
Përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë siç janë CEFTA dhe marrëveshjes së MSA-së prodhuesit vendor mund të eksportojnë lirshëm në të gjitha vendet të cilat janë pjesë e këtyre marrëveshjeve. Megjithatë, për të eksportuar në këto vende kërkohet përgatitje e lartë. Në këtë sesion të Konventës së Prodhuesve të Kosovës do t’ju njoftojmë me programet të cilat i ofron Klubi i Prodhuesve të Kosovës e të cilat shërbejnë për përgatitjen e prodhuesve për këto tregje.
Kosova dhe marrëveshja e CEFTA-s
Në konventë do të diskutohen marrëdhëniet tregtare në mes të vendeve të CEFTA-së dhe Kosovës. Këto do të diskutohen sfidat dhe mundësitë e kësaj marrëveshje me fokus të veçantë Kosovën.
Sfidat e punësimit e të rinjve në Kosovë
Pas një mori analizash mbi tregun e punës janë vërejtur disa sfidat me të cilat përballen punëdhënësit e Kosovës. Këto janë sfidat e mos-përputhjes së kërkesave të tyre për punëtorë të kualifikuar në njërën anë dhe nevoja që punëtorët dhe të rinjtë të kualifikohen dhe të bëhen të konkurrueshëm në tregun e punës. Me këtë rast, Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të bëjë prezantimin e Qendrës Kosovare për Përsosmëri të Prodhimit – KOCME ku do të prezantohet struktura e këtij projekti i cili pikërisht adreson sfidat e fuqisë punëtorë në Kosovë.
Rrjetëzim me prodhues dhe biznese lokale dhe rajonale
Në këtë konventë do të ketë rreth 300 prodhues nga Kosova dhe vendet e rajonit. Këtu do të krijohet mundësia që ju të ndërtoni lidhje përtej kufijve të Kosovës dhe përveç partnerëve lokal, ju do të mund të rrjetëzoheni edhe me partner rajonal për të zgjeruar biznesin tuaj.
Informacioni
Një aspekt shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e biznesit tuaj prodhues është të pasurit informacion kredibil mbi ligjet, procedurat, rregulloret dhe standardet e prodhimit. Në panelet e Konventës së Prodhuesve do të diskutohen shumë nga këto procese vitale për biznesin tuaj.