Telegrafi

55-vjetori i shembjes së objekteve fetare nga komunizmi, Basha: Nderojmë sakrificën e klerikëve që e mbajtën ndezur besimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përkujtuar 55-vjetorin e shembjes së kishave, xhamive dhe teqeve nga regjimi komunist në Shqipëri.

Në një postim në Facebook, Basha u shpreh se në këtë përvjetor duhen nderuar sakrificat bujare të klerikëve dhe besimtarëve që e mbajtën ndezur dritën e besimit nën terrorin e regjimit komunist.

“Dekadat e ankthit dhe shkretëtirës shpirtërore e morale nuk duhen harruar kurrë. 30 vitet e tranzicionit nuk e kanë bërë drejtësinë për atë terror të pashembullt. Modelet e asaj tradite të keqe komuniste vijojnë të lëndojnë lirinë dhe virtytin e besimit”, ka shtuar Basha.

Në vitin 1967, Shqipëria komuniste u bë i pari vend ateist në botë.

Regjimi komunist i vendit e shpalli fenë të paligjshme dhe zhvilloi një fushatë të gjatë shtypjeje kundër besimit fetar, duke burgosur dhe ekzekutuar klerikë dhe duke përndjekur familjet e tyre.

Institucionet fetare u rivendosen në vend vetëm pas rënies së regjimit komunist në fillim të viteve 90-të. Liria e fesë u garantua me ligj në kushtetutën e vitit 1998. /Telegrafi/