Telegrafi

55 punëkërkues për një vend pune

Zëvendësministri i Shërbimeve Publike, Rifat Blaku tha se Kosova ka një energji jashtëzakonisht të madhe të resurseve humane të pakrahasueshme me vendet e rajonit dhe më gjerë, meqë mbi 52% e popullatës janë të moshës së punës, mirëpo që mjerisht edhe në këtë periudhë nuk mund të favorizohet dhe të shfrytëzohet.

Ai theksoi se pasojat nga papunësia janë të mëdha, se edhe 10 vite pasluftës kanalet e ikjes nga Kosova janë të aktive.

Sipas tij, Bashkimi Evropian është duke hartuar politikë dhe strategji të reja për migracionet, arsimin dhe kufijtë, ndërsa pohoi se në këtë drejtim edhe Kosova duhet të marrë masa.

Dëfrim Rifaj, drejtor i Departamentit të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se ndër sfidat kryesore me të cilat është duke u ballafaquar vendi është papunësia, që në bazë të statistikave është 43%.

Rifaj e konsideroi shqetësuese edhe numrin e të papunëve të cilët janë të pakualifikuar. Nga 335 mijë sa janë të regjistruar si të papunë, 59% e tyre janë të pakualifikuar, prandaj thuhet se për këtë arsye MPMS-ja në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare ka themeluar 8 qendra për aftësim profesional./Telegrafi/.