Site icon Telegrafi

51 kompani nga Maqedonia posedojnë shenjën ndërkombëtare “OAE”

Në Maqedoninë e Veriut gjithsej 51 kompani kanë shenjë ndërkombëtare “OAE” (operator i autorizuar ekonomik) për besim dhe harmonizim me legjislacionin. Shenjën e ndajnë organet doganore për subjekte biznesi të cilat përmbushin një numër të madh të kritereve të shënuara dhe të cilat, pastaj, duke e pasur shenjën “OAE” në tregun ndërkombëtar janë të njohura si të besueshme.

Sipas Sekretariatit të CEFTA-s, në Serbi shenjën “OAE” e kanë marrë 27 kompani, në Kosovë dhe Serbi nga 10, ndërsa në Mal të Zi katër.

Numri i ulur i kontrolleve, vonesat më të shkurta të kamionëve, transporti më i shpejtë dhe shpenzimet e ulura afariste, janë vetëm disa nga përfitimet e kompanive “OAE”.

“Përfitimet nga ky program janë të mëdha: përshpejtimi i procedurave doganore, ulja e shpenzimeve, kursimi i kohës, dhe një përfitim i rëndësishëm është njohja në terren, sepse do të thotë se është një partner tregu i besueshëm për shërbimin doganor. Në këtë drejtim, pjesëmarrja në zinxhirët e tregtisë ndërkombëtare shpesh kushtëzohet me marrjen e statusit të OAE. Ajo që është e rëndësishme është që kur të plotësohen kushtet që programi të njihet në nivel të rajonit të CEFTA-s, kompanitë mund të përdorin përfitimet që u sjell statusi në të gjitha palët e CEFTA-s. Duke thjeshtuar procedurat dhe duke respektuar rregullat, ne synojmë të lidhim sa më shumë tregun e CEFTA-s. Aplikimi i programit të operatorëve ekonomikë të autorizuar, si dhe njohja e tyre reciproke, është shumë domethënëse në procesin e përmbushjes së prioriteteve tona, që janë rajonale si dhe integrimi i ekonomive të CEFTA-s në tregun e përbashkët evropian. Për këtë arsye respektimi i standardeve të BE-së është kushti kryesor për njohjen e këtij programi në nivel CEFTA”, theksojnë nga Sekretariati.

Sekretariati shton edhe se zbatimi i kritereve për marrjen e statusit të operatorit të autorizuar ekonomik e bën tregtinë më të sigurt, më të shpejtë dhe më efikase, ndërsa rezultati përfundimtar është që produktet dhe shërbimet më shpejtë të mbërrijnë te konsumatorët.

 

Exit mobile version