Deri tani, në Qendrën për menaxhim me kriza (QMK) janë raportuar rreth 500 raste të dëmtimit të objekteve nga dridhjet e tokës në rajonin e Shkupit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Damet më së shumti kanë të bëjnë me fasada të dëmtuara, çati, xhama të thyer, tavane dhe vetura të dëmtuara.
QMK-ja bën të ditur se pas tërmetit të fundit të mbrëmshëm, të shkallës 4 Rihter, përveç ndërprerjes së përkohshme të rrymës elektrike në disa pjesë të Shkupit, nuk janë raportuar dëme tjera.
Përndryshe, qytetarët mund të vazhdojnë që t’i paraqesin dëmet e tyre në numrin telefonik 195. Nëse ndodhë që të mos ketë linjë të lirë, atëherë dëmet mund të dërgohen edhe përmes postës elektronike në mail@cuk.gov.mk, duke dërguar të dhënat si emri, mbiemri, numër telefoni, adresa e saktë dhe përshkrimi i dëmit të shkaktuar nga tërmeti./Telegrafi/