Site icon Telegrafi

50 mijë numra të Valës për diasporën

Ministri i Diasporës, Valon Murati, drejtori i Telekomit të Kosovë , Agron Mustafa dhe Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, në një takim pune u dakorduan që edhe këtë vit, kompania më e madhe publike në Kosovë, PTK/Vala, t’i bashkëngjitet fushatës së Ministrisë së Diasporës, “Ti je pjesë e atdheut”.

Në kuadër të kësaj fushate qëllimi i së cilës është ndërgjegjësimi i bashkatdhetarëve me procesin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës, Vala ka rezervuar edhe 50 mijë numra të rinj që do të shpërndahen për të gjithë ata bashkatdhetarë që regjistrohen në pikat e regjistrimit. SIM kartela e dhuruar do të ketë minuta, SMS dhe internet falas, ndërsa validiteti i saj do të jetë 13 muaj.

Po ashtu, risi e këtij viti është që bashkatdhetarët të cilët kanë përfituar nga oferta e vitit të kaluar, kartelat e tyre do të rimbushen automatikisht nga Vala me 500MB, 30 min për bisedë dhe 100 SMS, si dhe validiteti i tyre do të zgjatet edhe për 13 muaj të tjerë.

“Bashkëpunimi me Post Telekomin e Kosovës nuk është ndalur asnjëherë, andaj edhe sivjet shënojmë vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm nisur vitin e kaluar që rezultoi me rreth 230 mijë bashkatdhetarë të regjistruar vetëm gjatë muajve të verës. Sivjet presim që kjo fushatë të jetë akoma më e suksesshme”, tha ministri Murati.

Ai i ka ftuar bashkatdhetarët që të regjistrohen në numër sa më të madh.

Drejtori i Telekomit, Agron Mustafa, potencoi se ky është një vazhdim i bashkëpunimit të vitit të kaluar.

“Vala është pjesë e atdheut, prandaj edhe kemi vendosur që të vazhdojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Diasporës edhe këtë vit. Sim kartelat që janë shpërndarë vitin e kaluar kanë validitet 13 muaj ndërsa Vala tashmë ka rezervuar edhe 50 mijë numra të rinj për të gjithë ata bashkatdhetarë që do të regjistrohen këtë vit, e ku përfshihen edhe minuta, SMS dhe internet falas”, theksoi Mustafa.

E, Drejtori i Postës, Sejdi Hoxha njoftoi se të gjitha pikat e Postës janë vënë në dispozicion të fushatës “Ti je pjesë e atdheut” dhe aty do të shpërndahen formularët e regjistrimit dhe numrat, duke filluar që nga fillimi i muajit të ardhshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version