Banorët e Rostushës udhëtojnë nga 50 kilometra deri në Gostivar, për të nxjerrë letërnjoftimin ose pasaportën. Për t’i nxjerrë këto dokumente, është e nevojshme që së paku dy herë të shkojnë në Gostivar: për dorëzimin e kërkesës, për t’u fotografuar si dhe për tërheqjen e dokumentit. Edhe pse para dy vjetëve banorëve u është premtuar se në stacionin policor do të sigurohet një aparat fotografimi, ai ende mungon. Banorët thonë se ndjehen të manipuluar nga premtimet boshe të qeverisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
„Këtë na premtuan që atëherë, por nuk kanë ndërmarrë asgjë. Ndihemi të manipuluar dhe të diskriminuar. Para zgjedhjeve vinin këtu, premtonin gjithçka deri sa t’i marrin votat. Por, sapo kalojnë zgjedhjet, na harrojnë”, tha për Tv21, Selam Sadiku, banor i Rostushës.
Një herë në vit, zakonisht gjatë muajit gusht, kur vinë mërgimtarët gjatë verës, kjo makinë dërgohet në Rostushë me qëllim që të fotografohen ata të cilët kanë nevojë për dokumente. Megjithatë, sipas banorëve, një makinë e këtillë është e nevojshme gjatë tërë vitit.
„Kur e sjellin makinën këtu, procesi zhvillohet shumë mirë. Njerëzit fotografohen këtu në fshat, nuk kanë nevojë të shkojnë në Gostivar dhe të kenë shpenzime. Por, makinën e sjellin vetëm në muajin gusht ose në muajin shtator”, thotë Ismet Beqiri, banor i Rostushës.
Grupi parlamentar i “Partisë për Ardhmëri Evropiane” në vitin 2014, dorëzoi amendament me ç’rast nga buxheti u miratuan një milion e dyqind mijë denarë, me qëllim që komuna Rostushë të pajiset me këtë makinë.
„Qëllimi ishte që të lehtësohet qasja deri te këto dokumente, por fatkeqësisht, sipas informatave që i kam një makinë e këtillë mungon në këtë fshat. Nuk e di se për çfarë arsye kjo makinë nuk u dërgua atje, respektivisht se pse nuk u realizua projekti, edhe pse ne si deputetë u munduam ta realizojmë”, thotë Reihan Durmishi, ish Deputet i PAE.
Përndryshe me këtë problem ballafaqohen 11 fshatra ose rreth 11.000 banorë të komunave Mavrovë dhe Rostushë. Nga MPB, thonë se deri më tani tek ata asnjëherë nuk është dorëzuar një kërkesë për sigurimin e aparatit. Theksojnë se Komuna Rostushë duhet zyrtarisht të dorëzojë kërkesë deri te Ministria që më pas të shqyrtohet se a është e nevojshme që fshati të furnizohet me një makinë të këtillë./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=eegrs4LhNPs