Site icon Telegrafi

Më 5 tetor inaugurohet Kompleksi Memorial i Dëshmorëve në Marinë

Dëshmorët e kombit Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha do të rivarrosen në ditën e inaugurimit të Kompleksit Memorial në Marinë më 5 tetor të këtij viti.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha, në një konferencë për gazetarë, ku foli mbi procesin e gjithëmbarshëm të punës dhe aktivitetet e Këshillit Organizativ që nga themelimi e deri më sot.

Berisha, njëherësh kryetar i Këshillit Organizativ Qeveritar për zhvarrimin dhe rivarrimin e dëshmorëve të ish-Zonës Operative të Drenicës të UÇK-së në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, tha se procesi i zhvarrimit të dëshmorëve ka filluar më 19 qershor dhe ka përfunduar më 31 korrik të këtij viti, ku në fazën e parë janë zhvarrosur nga varrezat e Polacit 112 mbetje mortore të dëshmorëve dhe prej tyre 101  janë rivarrosur në Marinë, ndërsa në Vushtrri janë rivarrosur dy, në Landovicë dy, në Kleçkë një, pesë në Shtime dhe një në Ferizaj.

Ai tha se në fazën e dytë janë zhvarrosur trupat e 53 dëshmorëve nga fshatrat e Drenasit dhe Skenderajt dhe janë rivarrosur në Kompleksin Memorial në Marinë, ndërsa dëshmorët Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha do të rivarrosen në ditën e inaugurimit të Kompleksit Memorial në Marinë më 5 tetor 2018.

Ministri Berisha foli edhe për rolin dhe angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë proces.

“Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbështetur procesin që nga fillimi me personel dhe pajisje teknike. Togu Ceremonial i FSK-së ka përcjellë dhe rivarrosur me ceremoni ushtarake të gjithë arkivolet me trupat e dëshmorëve të UÇK-së nga ish-Zona Operative e Drenicës në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë”, tha ai.

Këshilli Organizativ për Zhvarrimin dhe Rivarrimin e Dëshmorëve të Ish-Zonës Operative të Drenicës është themeluar me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj më datë 8 maj 2018.

 

Exit mobile version