Site icon Telegrafi

5 mijë euro gjobë për të akuzuarin që mashtroi me subvencione, i sekuestrohen 23 mijë euro

Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit F.M për mashtrim me subvencione.

I akuzuari F.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, me propozimin dhe pajtimin e palëve pjesa e mbetur e dënimit i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

“Ndërsa, koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 30.06.2021 e deri më datë 12.11.2021 i llogaritet në dënimin me gjobë të shqiptuar”, thuhet në njoftimin për media të gjykatës.

Të akuzuarit F.M thuhet se i është konfiskuar shuma e mjeteve në vlerë prej 27 mijë euro, ndërsa obligohet që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyre solidare të paguajë shumën totale prej 109 mijë e 520 euro.

“E dëmtuara Qeveria e Kosovës – Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me kërkesat pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil”, thuhet tutje në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmës Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi/

Exit mobile version