Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër Sh.B., 49 vjeçarit, nga fshati Serbobran Komuna e Istogut, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në aktakuzën e siguruar nga Telegrafi, thuhet se 49-vjeçari është recidivist dhe i njëjti gjendet në paraburgim nga data 02.01.2023, masë kjo që i është vazhduar deri me datën 30.07.2023.
“Me datën 02.01.2023 rreth orës 20.00 ne fshatin Serbobran Komuna e Istogut, pa autorizim, me qellim te shpërndarjes dhe shitjes, posedon substanca te cilat janë shpallur me ligj si narkotike dhe atë narkotikun e llojit mariuhane, heroinë dhe metadon”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, bëhet e ditur se i dyshuari kishte shpërndarë drogën në disa vende në shtëpi, në mënyrë që të mund ta shiste.
“Në atë mënyre që, i pandehuri pasi siguron narkotiket e lartcekur, e merr në shtëpinë e tij, e përgatitë me qellim që ta shpërndaj dhe shes duke i vendosur në pjesë të shtëpisë, ku në kuzhinë nën dysheme, në qese me duhan kaçak e vendos një sasi të narkotikut mariuhan me peshë 1.27gram , në dollapin e kuzhinës vendos një sasi tjetër të narkotikut mariuhan me peshë 3.90gram , në dhomën tjetër në mesin e rrobave vendos një qese tjetër me narkotik të llojit mariuhan me peshë prej 1131.80gram , në dhomën e qëndrimit skaj dyshekut fsheh një shishe qelqi me narkotik metadon 12ml. , në dhomën e gjumit nën dyshek fsheh një qese me narkotik të llojit heroinë me peshë prej 0.10gram , ndërsa nën tepih fsheh gjysmë cigare me narkotik mariuhan me peshë prej 0.20gram , mirëpo më pas hetohet nga Policia e Kosovës, të cilët i’a sekuestrojnë”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria bën të ditur se i pandehuri Sh.B., me herët kishte poseduar narkotikë dhe ndaj të njëjtit është ngritur aktakuzë edhe me parë për vepër penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 të KPRK-së dhe i njëjti ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog për veprën penale të lartcekur.
Pas përfundimit të aktakuzës, prokuroria i ka propozuar gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. /Telegrafi/