Site icon Telegrafi

485 mijë ton mbeturina të grumbulluara në Kosovë gjatë vitit 2021, 273 kg për banor

Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Mbeturinave Komunale (AMK) për vitin 2021, rezultatet e së cilës tregojnë se sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara nga kompanitë rajonale të mbeturinave dhe operatorët ekonomikë privatë, të cilat merren me menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë për vitin 2021 ishte 485 mijë tonë.

Sipas një njoftimi për media, të dhënat e vitit 2021 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale të grumbulluara në Kosovë ishte 273 kg për banor në vit. Ndërsa, mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ishte 0.75 kg.

“Në Prishtinë dhe rajonin e saj, grumbullimi i mbeturinave komunale për ditë ishte 0.84 kg/banor/ditë. Ndërsa, në rajonet e tjera të Kosovës, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për ditë/për banor ishte  0.71 kg. Nga të dhënat e mbeturinave komunale të grumbulluara sipas rajoneve për vitin 2021, vërehet se sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara ishte në rajonin e Prishtinës me 151 mijë ton në vit, ose 305 kg për banor në vit. Ndërsa, sasia më e vogël e mbeturinave të grumbulluara ishte në rajonin e Ferizajt, me 37 mijë tonë në vit, ose 202 kg për banor në vit”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se gjithsej, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për vitin 2021 ka rritje për 6.4%, krahasuar me vitin 2020.

Ndërsa, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për vitin 2021 në Prishtinë dhe rajonin e saj ka rritje për 6.3%, krahasuar me vitin 2020. /Telegrafi/

Exit mobile version